Krenaria e Medvegjës në Kostumet e Grave Shqiptare

Veshja tradicionale e grave shqiptare nga rajoni i Medvegjës është pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe bart vlera historike, identitare dhe estetike të veçanta. Ajo pasqyron ndikimet etnografike të zonës së Anamoravës dhe Malësisë së Medvegjës, me elemente të përbashkëta me viset e tjera shqiptare në Kosovë, por me detaje të veçanta që e dallojnë.

Në ditët e sotme, veshja tradicionale e grave nga Medvegja ruhet me kujdes nga familjet shqiptare dhe përdoret në raste të veçanta: dasma, festa kombëtare, përformanca kulturore dhe ekspozita etnografike. Ajo është jo vetëm një shenjë krenarie kombëtare, por edhe një dëshmi e identitetit të qëndrueshëm shqiptar në këtë trevë. 

Veshja tradicionale e grave nga Medvegja është një pasuri kulturore që familjet shqiptare e ruajnë me kujdes, shpesh si pjesë e trashëgimisë së brezave.

Ajo nuk është thjesht një rrobë, por një simbol i identitetit dhe historisë, i lidhur me zakone, dasma dhe festa të rëndësishme.

Shumë familje e mbajnë të palosur në arka druri ose dollape të veçantë, duke e nxjerrë vetëm për raste të veçanta, në mënyrë që të mos dëmtohet nga koha. 

Veshjet tradicionale të grave shqiptare në komunën e Medvegjës – trashëgimi e gjallë kulturore

Veshjet popullore shqiptare të komunës së Medvegjës përfaqësojnë një pasuri të rrallë etnografike, ku çdo detaj – nga ngjyra, materiali, deri te mënyra e veshjes – mbart kuptime të thella kulturore dhe simbolike. Ato janë punuar me dorë ndër vite e shekuj, duke u përcjellë nga brezi në brez, me përpikëri dhe rigorozitet të admirueshëm.

Veshjet sipas moshës dhe statusit

Tek gratë shqiptare të kësaj treve, veshja ndryshonte sipas moshës dhe statusit familjar. Vajzat mbanin shami dhe këmishë të bardhë, çorape të bardha dhe, në dimër, mitan të zi. Nuset dhe gratë e rejadalloheshin me shami me lule, dimi me lara, këmishë të qëndisur ose të bardhë, xhemper të kuq dhe çorape me rrema. Gratë e moshuara vishnin shami xhyveze (ngjyrë purpurt), këmishë të bardhë dhe, në dimër, xhemper e çorape të zeza.

Simbolika e ngjyrave sipas Hani-t

Studiuesi i njohur Hani, pas vizitës në fshatrat e Medvegjës, vlerësoi veçanërisht përdorimin e ngjyrave: 

E bardha shprehte pastërtinë, shkëlqimin, autoritetin shpirtëror dhe vlerat pozitive.

E zeza simbolizonte të kundërtën e së bardhës – gravitetin, pikëllimin dhe rreptësinë.

Ngjashmëritë rajonale

Këto veshje ruajnë tipare të përbashkëta me trevën e Llapit dhe Gallapit, ndërsa veshja e shqiptarëve të Toplicës kishte ngjashmëri me atë të rrethinës së Vranjës.

Materialet dhe zhvillimi historik

Historikisht, këmisha-fustanella të gjata punohej prej liri, ndërsa dimitë prej leshi. Më vonë u përdor pambuku, që hyri në përdorim në fillim të shekullit XX. Përparësja (pështjellaku) lidhej për beli me një tojë ose ushkur.

Veshja e nuses sipas ditëve të dasmës

Rendi i veshjes së nuses në ditët e para të martesës ishte tejet rigoroz:

Dita e parë: dimi, përparëse dhe anteri (triko) të zeza; çorape lulekuqe; shami bojëgjake.

Dita e dytë: dimi dhe shami xhyveze; çorape me harqe; përparëse me vija vertikale; këmishë dhe shokë me rruaza; kushak me penezë; jelek me gajtan; shami bojëgjake me tufë sipër.

Dita e tretë: dimi lahori; çorape të bardha; peshqir me penezë; përparëse me vija të verdha; kapuç me rruaza dhe me para; një lirë në ballë; katër bistekë për shpinë; “shive” (blej flokësh) për faqe; vellë e vendosur kryq me tri lule në majë.

Karakteristikat dalluese

Kjo veshje dallohet për punimin e dorës me përpikëri, prerjen dhe qepjen me stil të veçantë, si dhe dizajnin me motive tradicionale. Ruajtja e renditjes dhe përdorimit të saj në raste ceremoniale ishte pjesë e pandashme e traditës.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni.