Albin Kurti: Ngjyrat e Luginës nuk bëjnë kompromis me heshtjen, janë rrëfim i qëndresës përballë padrejtësisë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të ekspozitës kolektive “Ngjyrat e Luginës”, e organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi fuqinë e artit dhe të qëndresës përmes ngjyrave që pasqyrojnë shpirtin dhe vuajtjen e shqiptarëve në Luginë:

“Imagjinata në tablo nuk bën kompromis me heshtjen. Ngjyrat e Luginës janë ekspozitë që rrahë me ritmin e ekzistencës dhe nuk mbulohet nga statistikat e padrejtësisë. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shqiptarët jetojnë çdo ditë në përballje me diskriminimin dhe shtypjen, me shfrytëzimin dhe përjashtimin nga institucionet, e sidomos me atë që njihet si pasivizim i adresave – një spastrim i ftohtë etnik nëpërmjet metodave burokratike e administrative.”

Kryeministri shtoi se Kosova është përherë pranë shqiptarëve të Luginës dhe se angazhimi i saj do të jetë gjithnjë e më i madh:

“Nëpërmjet kësaj ekspozite, e gjithë Kosova e ndjen Luginën më afër. Ju keni sjellë këtu copëza jete Lugine, që vetëm thellësia e imagjinatës dhe gjerësia e përvojës suaj i ka ndjerë. Ju faleminderit që e sollët atë këtu edhe në këtë formë estetike! Ju faleminderit që nuk pushoni së krijuari e së angazhuari! Dhe, mbi të gjitha, faleminderit që nuk shkëputeni nga përkatësia!”

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, falënderoi të pranishmit në këtë mbrëmje mbresëlënëse, ku morën pjesë artdashës të shumtë, profesorë universitarë, përfaqësues të kabinetit qeveritar, si dhe figura të njohura të jetës publike. Ai veçoi me mirënjohje praninë e Kryeministrit Kurti, të cilin e cilësoi si një mbështetje të qartë për artin dhe kulturën shqiptare në Luginë.

Ekspozita u hap më 25 qershor 2025, në ambientet e Flori Gallery – Prishtina Mall, duke sjellë për publikun kryeqytetas një pasqyrë të gjallë të krijimtarisë, shpirtit artistik dhe identitetit kulturor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. 


Ngjarja u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes shpirtërore e kombëtare mes Luginës dhe Kosovës.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni