Fjala e kryetarit të LSHK-së, Prof. dr. Shyqri Galica, në hapje të FNP “DRINI POETIK”, 2025

POETËT PARAQITEN NË TRI QENDRA TË RËNDËSISHME KOMBËTARE

Kemi kënaqësinë që në 16-vjetorin e festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, që organizohet në shenjë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 9 e 10 qershor 2025, në Prishtinë, Prizren e Kukës t’ju përshëndesim dhe t’ju urojmë mirëseardhje!
Me kënaqësi përshëndesim kolegët e miqtë e ftuar: kryetarin Agim Bajrami të Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Durrësit, profesor Hamdi Hysukën, kryetar i klubit të shkrimtarëve dhe të artistëve “Pjetër Budi” të Matit, kryetaren Trandafile Molla – Baja të “Zërit të mërgimtarit” që vepron në Novara të Italisë, kryetarin Ligor Shyti të klubit të shkrimtarëve dhe të artistëve “Naim Frashëri” të Përmetit, kryetarin e klubit letrar “Petro Marko“ të Vlorës, zotin Myrteza Mara e të tjerët që ndodhen midis nesh.
Festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik” i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, pra, që e organizojmë së bashku me Degën e Kukësit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Republikës së Shqipërisë, po mbahet për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë dhe ende nuk kemi marrë ndonjë mbështetje të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, megjithëse kemi dorëzuar kërkesën sipas thirrjes përkatëse.
Tashmë ky festival ndërkombëtar ka fizionominë e vet dhe nëpër skenën e tij kalojnë krijues moshash e nivelesh nga më të ndryshmet, por dhe nga anë të tjera të Atdheut e më gjerë. Për shkak të pasigurisë për të siguruar mjete materiale, kemi mbetur pa ndonjë poet ndërkombëtar!
Poetët tanë kanë mundësi të paraqiten në tri qendra të rëndësishme kombëtare e kulturore të Shqipërisë etnike, të deklamojnë krijimet e tyre poetike dhe të artikulojnë pikëpamjet artistike, duke konceptuar tema e motive nga Lufta e UÇK-së dhe jeta historike e aktuale, që e bëjnë me interes këtë veprimtari.
Bota komplekse poetike po shpaloset para jush e publikut nga pena të shquara, krijues që kanë bërë emër në letërsi, por dhe të tillë që po bëjnë hapat drejt botës magjike letrare.
Nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin po dëgjohen zëra të frymëzuar nga muza poetike, për të sjellë në skenë larushinë dhe pasurinë ndjenjore e mendimore, atë botë të veçantë që vetëm poetët dinë dhe mund ta artikulojnë.
Në tri mjedise të rëndësishme kombëtare, pra, do të deklamohen vargje të frymëzuara që lidhen me jetën e historinë, krijime që portretizojnë figura e ngjarje të rëndësishme të jetës sonë shoqërore e kombëtare.
Besojmë se programin e FNP “Drini poetik” tashmë e keni të njohur. Pas pak fillon sesioni letrar “Figura e Skënderbeut në poezinë e sotme shqipe”, ku paraqiten disa kumtesa nga studiues e shkrimtarë. Pastaj, në orën 17 është “Lira magjike”, ku krijuesit paraqiten me vargjet e tyre poetike.
Nesër, e martë, në orën 13,00, takohemi në Sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në “Orën e Lidhjes”, kurse në orën 18 do të kemi kënaqësinë të jemi në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina” të Kukësit me “Valët e Drinit”, ku shpresojmë se përgjegjësit do t’i hapin dyert si gjithnjë për poetët.
Ndërkaq, në Kukës juria letrare do të shpallë rezultatet, me ç’rast jepen çmimet letrare: “Metafora I, II, III” dhe një komplet i veprave letrare-shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Por nesër, në orën 10,45, autobusi me poetët pjesëmarrës të festivalit, do të niset për Prizren e Kukës anash Fakultetit të Filologjisë të UP-së.
Duke shprehur kënaqësinë dhe falënderimin që po merrni pjesë në këtë ngjarje letrare, shkencore e artistike, urojmë të kaloni çaste të këndshme me krijimet poetike dhe në atmosferën që do ta krijojmë së bashku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *