Të shtunën, në qytetin Fully të Zvicrës, Shoqata Humanitare Medvegja (ShHM) organizoi festën tradicionale kushtuar 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Programi i mbrëmjes nisi me një paraqitje artistike të Shoqërisë Artistike “Medvegja”, nën drejtimin e Sylejman Musliut, e cila përmes vallëzimeve e këngëve popullore solli atmosferën e vendlindjes. Më pas, me disa këngë të përzgjedhura, u ngjit në skenë grupi folklorik i Musa Nezirit, që vepron po ashtu nën ombrellën e ShHM-së.
Për rëndësinë e kësaj dite të shënuar foli kryetari i Shoqatës, Zymer Hajrullahu, i cili theksoi se ruajtja e kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe në mërgatë është detyrë e përbashkët. Në emër të institucioneve të Kosovës, të pranishmëve iu drejtua Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Mentor Latifi, i cili vlerësoi lartë punën e Shoqatës Humanitare Medvegja dhe theksoi domosdoshmërinë e bashkimit dhe përkujdesjes për vlerat tona kombëtare.

Atmosferën festive e ngrohën Vëllezërit Aliu, të cilët u kujdesën që kënga dhe hareja të mos mungonin. Manifestimi i 17-të me radhë i organizuar nga ShHM vazhdoi deri pas mesnate, me pjesëmarrës nga Mitrovica, Kaçaniku, Medvegja, Prizreni, Gjilani dhe mërgata shqiptare në Zvicër.
Festa u mbyll me shumë zemërgjerësi dhe një kuzhinë tradicionale shqiptare, duke dëshmuar edhe njëherë se diaspora shqiptare është bartëse e kulturës dhe kujtesës kombëtare, kudo që ndodhet.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni

