Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd, ka kërkuar që të anulohet konkursi për subvencionimin e kulturave bujqësore nga Fondi i Republikës së Kosovës, shkruan MedvegjaSot. com
Në një postim në Facebook, Lutfiu ka shkruar se nuk do ta shfuqizojnë vendimin.
“Pas përgjigjes tonë lidhur me konkursin për subvencionimin e kulturave bujqësore nga Fondi i Republikës së Kosovës, dje në ora 15:36 na ka ardhur kundërpërgjigja nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd.
Ministria në fjalë kërkon që konkursi të anulohet (të shfuqizohet vendimi i KKSH-s), nëse ne nuk e shfuqizojmë këtë vendim atëherë atë do ta bëj vet Ministria, me preteksin se vendimi është i jashtëligjshëm thuhet në kundërpërgjigjen e Ministrisë. Vendimin nuk e shfuqizojmë, ndërsa pas konsultimit me Qeverinë e Kosovës do të njoftoheni me hapat e mëtutjeshëm”, ka shkruar Lutfiu.
Ai ka shtuar se Serbia e cila shkel ligjet e veta kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve, ajo e cila po bën spastrim etnik.
“Serbia, e cila për një koment në Facebook e dënoi shqiptarin me një muaj paraburgim dhe me qindra mijëra dinar, nuk ndërmori të njëjtin veprim kur një qytetar serb kërkoi zola (granata hedhës dore) për ta bombarduar ndërtesën e KKSH-s.
Serbia e cila autorët e Banjskës po i mban të lirë, po e konsideron të jashtëligjshëm një vendim (krejt transparent) të Këshillit Kombëtar Shqiptar për t’i mbështetur familjet shqiptare të Luginës së Preshevës e që për pjesën më të madhe të tyre bujqësia është veprimtaria kryesore e ekzistencës së tyre, e që për më tepër bëhet fjalë për një donacion, e jo nga mjetet e rregullta të Këshillit”, ka shkruar Lutifu.
Lutfiu ka theksuar se ata që e iniciuan këtë çështje, përtej dallimeve politike, kurrë nuk kisha dashur t’i shoh në këtë rrugë.