PAJAZITI NË ASAMBLENË E UNIONIT TË BASHKIVE SHQIPTARE NË RAJON

Kryetari i komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, ka prezantuar  në Tiranë Bujanocin në Asamblenë e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

Pajaziti ka shpërndarë fjalën e tij përshëndetëse në këtë event: 

Sot qëndrova në Tiranë, ku mora pjesë në Asamblenë e përgjithshme të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

Fjala ime përshëndetëse:

Është kënaqësi për mua që nga ky moment e tutje të prezantoj komunën e Bujanocit, si një zonë në dukje në periferi të viseve shqiptare, por nga aspekti gjeografik dhe strategjik, pa dyshim një rajon me rëndësi të veçant për ruajtjen dhe progresin e kombit tonë.

Si vetqeverisje lokale e dalë nga zgjedhjet e fundit lokale të qershorit të këtij viti dhe nën drejtimin tim, s’do mend se jemi të fokusuar për bashkëpunim të thellë dhe të fuqishëm, qoftë si tërësi, qoftë më vete, me secicilin qytet, komunë apo bashkësi ku jetojnë shqiptarët në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës.

Orientimi ynë është i qartë, se këto Forume të përbashkëta janë mundësi e artë jo vetëm për t’u njohur me njëri tjetrin, por edhe për të avancuar sferat shoqërorë të  bashkëqytetarëve tanë, pa marrë parasysh mjediset ku jetojmë dhe ku veprojmë.

Andaj, tek Bujanoci do të gjeni një partneritet të sinqertë dhe çdo iniciativë që buron nga kontaktet dhe tubimet tona do të zbatohet dhe do të çohet deri në fund.