Më 2 shkurt të vitit 1990, në krye me profesorin e ndritur Anton Çetta, në Kosovë u shkruajt një faqe e re e historisë sonë kombëtare. Këtu edhe nisi humaniteti dhe ideja për ndalimin e vëllavrasjes e po ashtu kësaj iniciative i kontribuan edhe studentët. Këtij grupi iu bashkua i tërë populli shqiptar, ku u falën mijëra gjaqe.
Humaniteti dhe atdhetarizmi janë virtyte të etikës njerëzore, të paqes dhe të lirisë, që bashkoi anembanë vendit të gjithë shqiptarët tok kundër një të keqeje shekullore, me përmasa të gjera, siç ishte gjakmarrja. Ky vit hyri në histori si viti më i organizuar. Profesor Anton Çetta, një njeri i ndritur për kombin tonë, i lindur në Gjakovë, në vitin 1920 vendosi që edhe vitet e fundit të pleqërisë t’i shkrijë për të mirën e kombit shqiptar, që pastaj të shkojë i qetë në amshim, në Prishtinë, në 1995.
Ishte ky një atdhetar i devotshëm dhe profesor i letërsisë. Ai botoi 16 libra, kryesisht përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare. Ky mendjendritur gjatë vitit 1968 ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Profesor Anton Çetta, “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90.
Më 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit i kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. Në zgjedhjet e para legjitime të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së. Puna dhe veprimtaria e prof. Anton Çetta do të kujtohen gjatë ndër brezat që do të vijnë. Ai me përkushtimin e tij atdhetar dhe intelektual, ia shndriti ballin kombit dhe atdheut, duke dëshmuar vetëm me punë para botës mbarë se si punohet dhe duhet atdheu. Ky simbol urtësie, atdhetarizmi e humanisti do të kujtohet prore dhe emri i tij tanimë është skalitur përjetësisht në faqet e historisë sonë kombëtare! Lavdi jetës dhe veprës së profesor Anton Çetta!
(Në 26-vjetorin e ikjes në amshim.)
Shkruan: Rrahman Hyseni