Kur bëhet fjalë për popullatën e Medvegjës, është një mjerim i vërtetë rrëfimi nëpër etapat historike të ndryshme. Së paku që nga Kongresi i Berlinit, Medvegja u përball me shpërnguljen e popullatës autoktone shqiptare nga vendlindja e tyre. Ka shumë faktorë që e shtyejnë shpërnguljen në vazhdimësi historike, por dy më kryesoret janë: ajo e dhunës shtetërore të planifikuar dhe pozita e saj gjeografike, pasi është kufiri më verilindor i trungut etnik shqiptar, së paku që nga koha e Kongresit të Berlinit, rrjedhimisht kjo popullatë ishte drejtpërdrejt e atakuar me shkallën më nacionaliste antishqiptare të popullatës serbe të Serbisë Jugore.
Nga vetë logjika e qëndrimit në skajin më verilindor të pozitës gjeografike të trungut etnik shqiptar, bëri që në të gjitha proceset historike, kjo popullatë të pësonte e para dhe njëkohësisht të ishte vija e parë e frontit dhe rezistencës e të mbijetesës së etnisë shqiptare, gjë që pjesët e tjera shqiptare, nëse i kishin të gjitha format e dhunës shtetërore serbe, por atë të popullatës serbe nuk e kishin sikurse Medvegja, për vetë faktin e pozitës gjeografike.
Kur dihet se historikisht trungu etnik shqiptar në vazhdimësi të historisë së saj ka pasuar tkurrje, tani Medvegja ishte ajo që së paku nga Kongresi i Berlinit e deri më sot, u përball direkt me të gjitha format e dhunës dhe të projekteve për shpopullimin e saj, që gjatë kësaj periudhe e pësoi si pasojë e politikës ekspansioniste sllave.
Shpërngulja e popullatës ishte përcjellëse e fatit historik të saj të dhembshëm, në kohën e Kongresit të Berlinit, gjegjësisht gjatë viteve 1878, edhe pse kjo shpërngulje kishte filluar që nga viti 1800, kur edhe popullata shqiptare e Toplicës, Sanxhakut të Nishit me mbi 940 fshatra e pësoi “golgotën” e saj të dhimbshme të shpërnguljes dhe vrasjeve makabre. Shpërngulja e vitit 1999, lënia e mbi 800 shtëpive, ikja e 5 mijë njerëzve dhe deri te pasivizimi i vitit 2017 edhe pse filloi në vitin 2011, është mjaft shqetësuese, kurse në vitin 2017 u pasivizuan mbi 5.000 dhe tani futet rreziku të humben edhe pronat.
Shkruan Rrahman Hyseni