Rrahman Hyseni, “SHQIPTARËT E MEDVEGJËS NËPËR SHEKUJ”, historia, kultura, arsimi. Monografi, botoi Sh. B. Pres Liberty, Prishtinë 2021, ISBN978-9951-830-01-0, faqe 458.
Monografia e Rrahman Hysenit, “SHQIPTARËT E MEDVEGJËS NËPËR SHEKUJ”, është një dokument historik, njëkohësisht edhe kulturor dhe etnografik, që i kushtohet kësaj treve ndër më të rrezikuarat për braktisjen e saj të tërësishme.
Autori, mongrafinë kushtuar Medvegjës e nis me shënimin “Hyrje”, e në vijim është shënimi emblematik “Akademik Idri Ajeti, 1917-2019”, e në vijim janë një varg temash të cilat lidhen me sfidat e banorëve të Medvegjes, ndër to, janë përfshirë figura të rëndësishme të historisë kombëtare nga kjo trevë.
Në rubrikën “Pishtarët e diturisë në shkollat shqipe në Medvegjë”, janë botuar pothuajse të gjithë mësimdhënësit që kanë kontribuar në mbarvajtjen e mësimit shqip në Medvegjë dhe lokalitet tjera shqiptare në këtë komunë. Radhitja e tyre bëhet sipas kriterit alfabetik, ndërsa lexuesi do të mahnitet me këtë përkushtim të autorit për t’i mbledhur, sistemuar dhe publikuar të dhënat elementare për secilin mësues, ngritjen e tyre profesionale, vitet kur kanë punuar dhe shkollën ku kanë shërbyer si mësimdhënës. Po ashtu lexuesi do të surprizohet kur do të gjej ndonjërin nga mësuesit e shkollës fillore a të mesme, të cilët në fillimet e tyre paskan punar mësimdhënës në ato shkolla, ndërsa më vonë janë transferuar në shkollat e Kosovës, dhe disa sish, edhe kanë emigruar në vendet e Evropës Perëndimore, madje edhe në Amerikë, siç është rasti i veprimtarëve të njohur, vëllezërit Ramadan e Xhim Xhema etj. Pa dyshim në këtë syth del në pah edhe roli i gruas, i femrës shqiptare nga Medvegja, e cila kurdoherë ka qenë dhe është në ball të sfidave, prandaj roli i saj në mësimdhënie duket mjaftë i arsimuar, e së këndejmi ajo ka dhënë kontributin e saj në edukimin dhe emancipimin e brezave të tërë, jo vetëm në Medvegjë po kudo në Kosovë dhe tutje saj.
Në rubrikën “Shkrimtarë dhe poetë nga Medvegja”, janë përfshirë autor e intelektual të kësaj treve me emër dhe mjaftë të njohur, siç janë: Prof. soc. dr. Ramush Bejiqi, Ramiz Kadriu, Miradije Zymberi Avdullahi, Rexhep Abazi, Januz Fetahu, Majlinda Zeqiri Shaqiri, Lirona Zuka, Rrahman Hyseni, Zahide Marije Ukaj etj.
Po ashtu edhe në sythin “Rapsod dhe artistë nga Medvegja”, dallojnë emrat si: Immer Emini, Qazim Beha, Shaban Abazi, Malë jakupi, Veli Hajdini, Abaz Aliu, Remzi Jakupi – Remi, Gjulo Beiqi, Emine Bojniku, etj. Kurse në vazhdim autori ka prezantuar veshje dhe etnografi, tradita dhe zakone, kryesisht të Medvegjës dhe fshatrave të kësaj komune. Pastaj janë prezantuar Shoqëri Kulturore e Artistike duke i përmendur emër për emër anëtarët e këtyre shoqërive dhe kështu me radhë. Një bllok i terë iu ka kushtuar “Emigrimi i shqiptarëve të Medvegjës në Zvicër”, nga të cilët po veçojmë: Zenel e Musa Neziri, Zejnullah Namani, Ismet, Fadil e Shaban Selmani, etj.
Një qaskje meritore i kushtohet Aktivitet dhe të arriturat e Shoqatës Humanitare «Medvegja», me seli në Zvicër, pastaj gjejm shënime për “Fondin Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, si dhe aktivitete kulturore e politike, bashkë me shënime për diplomat të ndryshëm e personalitete të njohura që kanë vizituar Medvegjën ose ishin pjesë e ndonjë aktivitetit në këtë komunë, përbëjnë atë mozaikun e gjithmbarshëm të kësaj treve.
Autori, kujdesshëm dhe saktë, ka shkruar edhe për dhunën dhe diskriminimin që iu bëhet shqiptarëve të Medvegjës nga regjimi serb, ku vëmendje të theksuar zë përpjekja e këtij regjimi për t’ua fshirë adresat qytetarëve të kësaj treve, për të cilat autori është kujdesur që t’ua rikujtojë strukturave udhëheqëse dhe lexuesve të kësaj monografie. Brenda Monografisë “Medvegja…”, janë përfshirë edhe një varg këngësh dhe materiale me rëndësi edhe për studime nga fusha e folklorit dhe albanologjisë. Madje në rubrikën “Pa koment”, autori ka sjellur një varg fotografish të vjetra që datojnë nga vitet 1877/1878, në të cilën shihen Muhaxhirë të cilët janë shpërngullur me dhunë nga trojet e tyre etnike. Fotografi këto të rëndësishme për arkivat historike, për institute përkatëse dhe për vetëdijen qytetare. Pastaj gjejmë edhe një varg fotografish të karakterit etnografik, si dhe një mozaik i tërë me vlera hulumtuese dhe për studime të disiplinave të shumta nga fusha e politikës, edukimit, kulturës etnografisë e traditave të tjera nga Medvegja dhe përgjithësisht nga treva e kësaj komune.
Nga këto trajtesa kuptojmë edhe angazhimin e autorit për të regjistruar dhe evidentuar të gjitha zhvillimet historike, kulturore, arsimore dhe etnografike të zonës dhe komunës në përgjithësi, dhe pa marrë parasysh nëse edhe autor të tjerë, para këtij studimi, kanë punuar libra të tillë të kësaj natyre, përseri Monografia e Rrahman Hysenit për Medvegjën dhe zonën në përgjithësi, mbetet perlë e kësaj natyre që dëshmonë përkushtimin dhe dashurinë e autorit për Medvegjën.
Kjo monografi duhet të mirret shembull edhe nga të tjerët për t’i shënuar historitë e fshatrave a të trevës së tyre, për të regjistruar zhvillimet dhe transformimet kulturore në trevën përkatëse, për të regjistruar rritën arsimore kudo ndër ne, dhe për të mbledhur artifakte të shumta dhe ato të evidentohen në secilën lagje, në secilin fshat, në secilën trevë të Kosovës, pasi është e mundur dhe mbase edhe e domosdoshme.
Rrahman Hyseni këtë e ka bërë sall vetëm dhe ia ka dal mbanë të mbledh, të sistemoj dhe të përpunoj gjithë ato shënime historike e faktografike të cilat edhe si botim teknik kanë dal mirë sa për t’ia pasur zili autorit. Ndonëse relativisht i ri, si askush tjetër ky autor ka kryer një obligim kombëtar, me një fjalë i ka dalë borxhit vendlindjes dhe atdheut. Tamam si bleta lule më lule ka mbledhur shënime për të bërë një evidentim kaq të besueshëm, kaq faktik e historik të tërë gjallërisë në Medvegjë dhe rrethinë, shënime këto që lexohen me një hovë, me përkushtim dhe që secilit lexues do t’i ngjallin emocione kur do të gjejnë shënime a të dhëna për personalitete të caktuara, sepse, do të gjejë emra profesoresh universitar, studiuesish të zellshëm dhe udhëheqës në strukturat politiko-shoqërore në Kosovë, të cilët rrënjet gjenologjike i kanë nga Medvegja dhe rrethina e saj.
Rrahman Hyseni, kujdesshëm ka regjistruar tërë lëvizjet kombëtare që kanë ndodhur në Medvegjë duke i lidhur ato lëvizje edhe me lëvizjet tjera kombëtare në nivel të asaj kohe, por siç shihet edhe nga monografia, asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur atje dhe asnjë lëvizje kombëtare, kulturore, arsimore e etnografike nuk është trajtuar ndaras e shkëputur nga të të gjitha lëvizjet politike, historike, arsimore e kulturore që kanë ndodhur nëpër kapërcyell kohërash edhe në Kosovë apo trevat tjera shqiptare për rreth Medvegjës, vetëm se autori ka arritur t’i evidentojë disa specifika e karakteristika që e dallojnë trevën, qoftë në planin etnografik e qoftë në aspektin arsimor e kulturor, politik e historik.
Medvegja, historia, kultura, arsimi, bindshëm dokumentojnë faktin tragjik që aktualisht po i përjeton zona dhe treva e Medvegjës, nga e cila tashmë ka shpërngulje masive, dhe siç dihet ky fenomen ka ndodhur nga pavetëdija kolektive e cila me vetëdije e ka lënë në harresë, pastaj janë faktorët tjerë politik, shtypës e diskriminues që po i përdor Serbia, për ta zbrazur dhe për ta shpopulluar sa më shumë, sa më tepër Medvegjën dhe rrethinën e saj.
Jo pa qëllim përmenda “pavetëdijen kolektive”, e cila bie barrë e vetëdijes kolektive, e përpjekjeve të gjithmbarshme për të mbijetuar, për të qëndruar dhe për të rezistuar ashtu siç ka ndodhur kudo në lëvizjet e mëdha etnokulturore te të gjithë popujt e zhvilluar të botës ku emigracioni drejt qendrave të mëdha urbane ka ndodhur kudo në Evropën e zhvilluar dhe të përparuar. Sot në nivel botëror, sidomos në vendet e zhvilluara ekonomike, vendet e përparuara demokratike, në vendet me sistem të lartë demokratik e juridik, thuhet se popullsia e gjithmbarshme që jeton në zonat rurale nuk kalon më tepër se 30% të popullësisë së gjithmbarshme, por shtrohet pyetja se çfarë ka bërë shoqëria për të mbetur e për të gjallëuar ajo pjesë në treva e zona të caktuara, të cilat do të përballen me vështirësi të shumta e të ndryshme. Qoftë për shitjen e produkteve që prodhojnë, qoftë për mbajtjen dhe ruajtjen e traditave, traditave kulturore e arsimore, qoftë për ruajtjen e traditave etnografike, faktor këta që nuk mbahen, nuk ruhen e nuk zhvillohen pa zhvillim ekonomik që është çelësi dhe baza e të të gjitha vështirësive që i kanë zonat më të braktisura dhe qendrat më të vogla urbane siç është Medvegja e cila edhe për shkak të pozitës gjeografike e ndjen braktisjen, izolimin dhe harresën më shumë dhe më tepër se secila do trevë tjetër e hapësirës etnike shqiptare.
Vet fakti se Medvegja shtrihet në një pikë kufitare, do të duhej të ngjallte vetëdijen nacionale, sepse braktisja e saj ka të bëjë me t’kurrjen e e hapësirës etnike, jo me braktisje dhe harresë si mund të ndodhin në zona malore, në hapësira të caktuara të cilat janë në mes të hapësirës etnike të secilit popull të secilës etnikum në shoqëritë e caktuara. Medvegja, është krejt më ndryshe karshi secilës pjesë të etnisë, prandaj ngritja e vetdijes nacionale është thirrje, është domosdoshmëri, të cilën edhe nëse nuk e thotë autori, ai e ka shtruar drjt dhe sakt duke e përcaktuar si problemeatikë themelore, madje pa thënë ai, shihet apeli të bëhet diçka sot, deri sa nesër, nuk është bërë krejtsisht vonë, krejtsisht si proces faktik i një pune të kryer, pasi libri flet dhe dëshmon për emigrim masiv dhe të pakontrolluar që ka ndikuar në këto zbrazje masive. Të gjitha këto vështirësi dhe shumë të tjera që nuk arritëm t’i evidentojmë dhe t’i potencojmë, saktë dhe kujdesshëm i ka thënë autori i monografisë Rrahman Hyseni, i cili meriton lëvdata për botimin e Monografisë “SHQIPTARËT E MEDVEGJËS NËPËR SHEKUJ”.
Prishtinë, nëntor 2021.
Shkruan Shefqet DIBRANI