Finalja e Festivalit Kombëtar “Pushka e Lirisë” në nderim të Heroit Zahir Pajaziti

Sonte u zhvillua nata finale e Festivalit Kombëtar “Pushka e Lirisë” në Podujevë, një festival që u mbajt për herë të parë në nderim të Komandantit Zahir Pajaziti.

Nata përmbyllëse e festivalit mblodhi ansamble nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, të cilët performuan para publikut të pranishëm në një atmosferë emocionuese.

Publiku u përshëndet edhe nga performanca e artistëve të mirënjohur Afrim Muçiqi, Nysret Muçiqi, Hysni Klinaku dhe Enver Batllava, të cilët e bënë natën e festivalit edhe më madhështore me pjesëmarrjen e tyre.

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, familja e Komandantit Zahir Pajaziti, Deputeti Fitim Haziri, Komandanti i Stacionit Policor Bashkim Bajrami, Kryetari i Gjykatës Themelore në Podujevë Minir Hoti, bashkëluftëtarë të heroit Zahir Pajaziti dhe shumë qytetarë.

Juria, e përbërë nga prof. Zhani Ciko, prof. Dilaver Kryeziu dhe prof. Minella Kureta, ndau çmimet për ansamblet pjesëmarrëse si vijon: çmimin special “Zahir Pajaziti” e fitoi ansambli Bresna nga Dragashi; vendin e parë e mori ansambli “Vaçe Zela” nga Fieri; vendin e dytë ansambli AKV “Shqiponja”; dhe vendin e tretë ShKA “Kastriotët” nga Ferizaj. Përveç këtyre, u ndanë edhe shumë çmime të tjera për grupet pjesëmarrëse.

01.11.2024, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informimn – Komuna e Podujevës.