Rapsodi i njohur Hetem Hajrullahu është një nga zërat më të dalluar të trevës së Gollakut dhe më gjerë në viset shqiptare. Ai u rrit me këngën në një kohë kur nuk kishte shkolla të muzikës, duke u frymëzuar nga këngëtarët popullorë të kohës, e në veçanti nga rapsodi i shquar i Sfircës, Zajm Beha.
Hetemi lindi në fshatin Sfircë të komunës së Medvegjës në vitin 1954. Bashkë me mikun e tij Qazim Beha, hodhi hapat e parë në këndim dhe në luajtjen e çiftelisë e veglave të tjera muzikore. Ishin kohë të rënda për shqiptarët në Medvegjë: pushteti jugosllav dhe aparati i UDB-së përcillnin çdo hap, çdo fjalë e çdo këngë shqiptare, sidomos ato që kumbonin në odat tona. Pikërisht aty, Hetemi u bë zë i pathyeshëm i këngës shqipe.
Ai këndoi me pasion këngë epike, lirike, dashurie, por mbi të gjitha e kishte të rrënjosur këngën patriotike, që e mbajti gjallë frymën e rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Me zërin e tij të ëmbël dhe talentin natyral, këngët e Hetemit u trashëguan brez pas brezi, duke u bërë pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Me kalimin e kohës, përballë shtypjes serbo-sllave dhe vështirësive ekonomike, ai u detyrua të shpërngulet në Zvicër. Por largimi nga vendlindja nuk e ndali asnjëherë: çiftelia dhe kënga e ndoqën kudo. Në diasporë, kënga e tij mori edhe më shumë forcë e ndjenjë, duke shndërruar mallin për atdheun në vargje e melodi që frymëzuan shumë shqiptarë. Në tubime, ndeja e ahengje të mërgatës, Hetem Hajrullahu ishte gjithmonë aty, me çifteli në dorë dhe këngë në buzë, duke treguar se arti i tij ishte mishërim i dashurisë për vendin.
Hetemi nuk këndoi vetëm për të gëzuar shpirtin, por edhe për të ndihmuar kauzën kombëtare. Ai ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit shqiptar, duke ngritur zërin kundër çdo padrejtësie dhe duke mos lejuar askënd të cenonte dinjitetin kombëtar. Patriotizmin e kishte trashëgim nga familja e madhe Hajrullahu, e cila, duke jetuar në buzë të kufirit shqiptaro-shqiptar, ishte goditur dhe sulmuar në shumë luftëra.
Sot, Hetem Hajrullahu kujtohet jo vetëm si një rapsod i talentuar, por edhe si një ruajtës i shpirtit kombëtar përmes vargut e këngës. Zëri i tij mbetet dëshmi e gjallë se arti popullor nuk është thjesht muzikë, por një urë që lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një kombi.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni

