SHQIP FLET
Në vendlindjen time
Shqip flet edhe guri
Na mbajti gjallë me shekuj
Gjuha dhe flamuri
Në vendlindjen time
Përherë është folë shqip
Ku valoj flamuri
Kështu e patëm traditë
Në vendlindjen time
Synim kemi pasur lirinë
Që lirshëm të bartim
Plisin në malësi
Malësia po na pret
Medvegja na kërkon
Në këto treva te bukura
Ku ishim autoktonë
Medvegjë e dashur
Kam një plagë të vjetër
Të kthehet ky popull
Në këto troje patjetër.
BASHKIMI FAMILJAR
Familja kur bashkohet
Shumë është lezet
Sikur në vendlindje
Ashtu në kurbet
Ndeja dhe biseda
Nuk kanë të ndalur
Me biseda të mira
Duke i qarë hallet
Kështu e ka jeta
Kudo që shkon
Me rrethin familjar
Biseda të zhvillosh
Jeten si në vendlindje
Askund nuk e ke
Ketu në mërgim
Vuajtje e derte plot
Çdoherë për njeri-tjetrin
Sytë na pikojnë lot.
VUAJTJE
Gjithmonë veç me vuajtje
Gjithmonë në mjerim
Gjithmonë vetëm lot
Asnjëherë gëzim
Jeta është e shkurtër
Aq shpejt po kalon
Vuajtjet dhe torturat
Asnjeherë nuk pushuan
Jeta e kurbetqarit
Plot vuajtje dhe mundime
Jeta jonë rinore
Na iku kah mot
Rininë tonë shqiptare
E shpërndamë nëpër botë.
NDERIMI
Ai që të nderon
Nderoje edhe ti
Respekti të mos mungoj
Në perditëshmëri
Kur je mysafir
Sillu si të ka hije
Në shtëpi të huaj
Mos nxirr shumë dije
Dëgjo me vëmendje
Të jesh i sinqertë
Nese kë dëshirë
Të ftohesh përherë
Nëse je i kënaqur
Ti tregoje veten
Me sjelljet e tua
Do ta nderosh vetveten
Nderi dhe respekti
Kurrë të mos mungoj
Gjithmonë miku mikun
Kështu e nderon.
“MALLI I MËRGIMTARIT” ËSHTË LIBRI I PARË I AUTORIT-IMER REXHEPI NGA MEDVEGJA
I lindur më 21 shkurt 1960, në Sfircë të Medvegjës.
Toka e Kosovës, dashuri e madhe, flakë e shpirtit, mall i pashuar që djeg zemrën e secilit mërgimtar. Poeti Imer REXHEPI në këtë libër të tij shpreh pikërisht këto ndjenja që i ka për vendlindjen e tij. Dashurinë, mallin, pikat që i kanë mbetur në zemër për tingullin e lahutës, lojërat e muhabetet me vëllezërit e motrat, dashurinë për dheun e Kosovës; të gjitha këto e shumë e shumë gjëra të tjera autori i mban në zemër dhe i kujton çdo ditë, ndoshta me një ndjenjë pendimi, se si i shkoi tërë jeta duke thënë:
“Nesër do të kthehem. Nesër”…
Në poezitë e veta, ai me zemër bën thirrje për bashkim e qëndrueshmëri në rastet e vështira politike të Kosovës, i thërret Evropës për ndërgjegjësim e drejtësi në vendimet e saj ndaj vendit tonë duke përshkruar bukur se gjithmonë qemë viktimë e dëshirave të saj të paetura për trojet tona me bukuri madhështore.
Ajo çka i karakterizon poezitë e poetit në tërësi dhe secilin varg veç e veç, është çiltërsia me të cilin ai e shpreh gjithë mallin, momentet e bukura të mënyrës së jetesës në vendlindje, siç janë dasmat, dashurisë dhe peripetive që e përcollën vendin tonë vazhdimisht.
Si vargje që e përgjithësojnë më së miri dashurinë e poetit ndaj të gjitha trojeve shqiptare, mbase mund të veçohen vargjet:
“UNË JAM MIRË KUR ËSHTË SHQIPËRIA
KUR UNË TË KTHEHEM NË TROJET E MIA”
Jeton dhe vepron në Zvicër.
Shkruan Rrahman HYSENI