Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, ka njoftuar se ditën e hënën (12 gusht), ora 11:00, në qendër të Bujanocit do të mbahet protesta për Identitet dhe Dinjitet!
Organizatorët e kësaj proteste deklarojnë se protesta gjithëpopullorë do të mbahet për shkak të diskriminimit të shqiptarëve nga ana e shtetit të Serbisë.
Me moton, Ejani! Për vetën tuaj! Për ata që do vijnë pas nesh!, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, bënë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në këtë tubim paqësor.
Organizatorët në thirrjen e tyre publike shkruajnë se , po bëhen 22 vite nga fillimi i betejës politike për integrimin e shqiptarëve e 11 vite nga hartimi e aprovimi i Planit 7 pikësh.
Shqiptarët po vazhdojnë të mbeten pakica më e shkelur, më e shtypur e më e diskriminuar në vend.
Nëpërmjet një video-mesazhi, Lutfiu ku paralajmëroi organizimin e një proteste deklaron se “diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar “i ka prekur kufijtë e racizmit”.
“Nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare në vendin tonë pa u prekur nga procesi i pasivizimit të adresave. Përmes pasivizimit, sipas tij, Serbia po ua heq qytetarëve të drejtën e votës. Andaj u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të korrigjojnë këto shkelje të rënda pa vonesa të mëtejshme”, apeloi ai”.
Sa i përket punësimeve në institucionet shtetërore, sipas Lutfiut, po injorohen kuadrot shqiptare ndërsa po sjellën kuadro nga qytete të tjera të Serbisë.
“Përtej përpjekjeve institucionale e lobimit ndërkombëtarë, përtej angazhimit për të ruajtura identitetin e dinjitetin, shqiptarët po hasin në dyer të mbyllura e veshë të shurdhër. Shteti dhe qeveritë në Beograd nuk kanë as vullnet e as plan për të përmirësuar pozitën tonë. Prandaj, ka ardhë koha të ngremë zërin. Prandaj duhet të protestojmë. Të gjithë bashkë, pa dallim. Si shqiptarë të diskriminuar” shkruhet në rrjetet sociale nga organizatorët