Kombi shqiptar gjithmonë gjatë historisë së tij lindi dhe rriti burra të denjë të pushkës dhe të penës. Njëri prej titanëve të fushës së penës është edhe Akademik Idriz Ajeti, që u lind në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës, më 26 qershor të vitit 1917. Është shkrimtar dhe akademik shqiptar. Ai vlerësohet dhe është njëri ndër gjuhëtarët më të njohur, i cili i ka dhënë shtysë albanologjisë duke e bërë të denjë për respekt. Idriz Ajeti ka dëshmuar se është një njohës i thellë i gjuhësisë shqiptare duke e përparuar atë edhe më tutje. Mësimet fillestare i mori në Banjë të Sijarinës, më 1930. Pastaj u regjistrua në Zagreb, degën e romanistikës. (Mësojmë nga kujtimet e Akademik Idriz Ajetit).
II.
Sipas kujtimeve të Akademik Idriz Ajetit, takimi i parë i tij me shkencën albanologjike ka qenë në Zagreb, para luftës, si student në Fakultetin e Filozofisë – dega e romanistikës. Gjithnjë duke iu referuar kujtimeve të Ajetit, mësojmë se ai për herë të parë, më 1938-39 shkroi një artikull të vogël lidhur me toponimistikën shqiptare, që e botoi në gazetën e Sarajevës,”Muslimanska svijest”. Pastaj shkoi në Itali. (Dy semestrat e vitit të parë i bëri në Pizza, dy të tjerët në Padova). Atje, në Fakultetin e Filozofisë punonte albanologu italian Karlo Tagliavini, që bënte mësime nga historia e gjuhës shqipe. Dy semestra që i bëri Idrizi aty, u zhvilluan për elementet indoevropiane në gjuhën shqipe. Idrizi doli i pari tek ai në provim dhe askush tjetër …
Në Beograd Idrizi shkoi për ta kryer diplomën, që i kishte mbetur nga Italia. Diplomën e kishte nga italishtja – letërsi e gjuhë italiane.
Idriz Ajeti pas studimeve ka qenë profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës, lektor dhe mësimdhënës në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd, kurse disertacionin e ka mbrojtur në vitin 1958, me temën “Zhvillimi i të folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Pasi kreu studimet, Idrizi si lektor, qëndroi ca kohë në Kosovë, kurse më 1953 u kthye në Beograd dhe vazhdoi punën si lektor. Në kujtimet e veta Idriz Ajeti tregon se profesorët e parë me shkollë u krijuan atje në Beograd, në atë degë: Hilmi Agani, Rexhep Hoxha, Ramiz Kelmendi, Besim Bokshi e të tjerë. Kur shkoi në Beograd, në vitin 1953 në takim me profesor Bariqin, ai ia propozoi temën e disertacionit “Gjuha e shqiptarëve arbëreshë të Zarës”. Idrizi punoi disa vjet, e kreu, e dërgoi në Sarajevë, sepse ai atje punonte në Fakultetin Filozofik. U formua Komisioni dhe e mbrojti temën. …
III.
Në vitin 1960 u hap së pari Fakulteti Filozofik në Prishtinë. Më 1958 ishte hapur Shkolla e Lartë në Prishtinë, si dhe në Gjakovë e Prizren. Por, fakulteti i parë u hap më 1960, kurse më 1961 u hap Fakulteti Juridik.Kujton Akademik Idriz Ajeti. –dhe vazhdon -këtu, në vitin 1970 u hapen fakultete dhe Universiteti-, rrëfen Idrizi. Ndër degët ishte edhe ajo e gjuhës shqipe – albanologjia. Idriz Ajeti ishte aty i pari, më i moshuari ndër ta. Filluan me një revistë “Gjurmime Albanologjike”, që edhe tash e mban këtë emër. Më vonë, në vitin 1974, në krye të asaj dege Idriz Ajeti i vizitonte edhe seminaret tjera: në Beograd, Shkup, Lubjanë dhe vende të tjera, ku paraqitej me ndonjë kumtesë, merrte pjesë në realizimin e programeve të tyre, sidomos në Beograd. Idrizi mendoi që edhe shqiptarët në Kosovë të hapin Seminar të tillë, duke patur lidhje me studiues të gjuhës shqipe në qendrat e Evropës Perëndimore, si Vjena e vende të tjera të Evropës. Për këtë gjë ai kishte marrë pëlqimin e autoriteteve të kohës e në këtë mënyrë nisën hapa të mbarë për realizimin e Seminarit. Seminari i parë u hap në vitin 1974.
IV.
Akademik Idriz Ajeti me të drejtë pati deklaruar se historia e gjuhës është vetë historia e popullit, madje ai është edhe përkrahës i tezës së prejardhjes ilire të shqiptarëve, duke dëshmuar rrënjët antike të saj. Ai na rikujton se kemi një histori dramatike, që e thonë dhe shumë të tjerë këtë të vërtetë. Populli shqiptar është një popull i vjetër. Por dihet se s’ka patur kushte të merrej me kulturë, me ngritjen kulturore, ngase ishte i shtypur kombëtarisht nga okupatorë të ndryshëm. Pastaj profesor Ajeti na e rikujton Formulën e Pagëzimit 1492: duke konstatuar se në atë kohë, në shekullin XV, ndër shqiptarët nuk kishte kurrfarë kushtesh, ashtu që vetëm ndër katolikë kishte ndonjë intelektual. Meqë nuk kishte shërbesa fetare në çdo vend, atëherë arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, mendoi që më rastin e lindjes së fëmijëve ata duheshin pagëzuar. Meqë shërbesat nuk ishin gjithkund, e fëmijët duheshin pagëzuar, arqipeshkvi e tha atë fjalinë që duhej thënë me rastin e pagëzimit të fëmijëve dhe ajo u shënua dikund: “Un të pagëzon j pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt … “. E po ashtu, Profesor Ajeti na e rikujton edhe faktin tjetër se libri i parë është “Meshari” i Gjon Buzukut, në vitin 1555. Pastaj shpjegon se Buzuku e botoi atë, por, shumë pak dihet për autorin, për vendin e botimit, mungon fillimi dhe ka mbetur pasthënia. Për autorin ka pak shënime. Autori dihet: Gjon Buzuku, Por tjetër gjë nuk dihet, ku mësoi, ku studioi, ku e botoi, nuk dihet. Librin e gjeti në Vatikan gjakovari Nikollë Kazazi.
Akademik Idriz Ajeti shpjegon se populli shqiptar është një popull i vjetër. Për shumë popuj që kanë jetuar në këto treva nuk dihet, si për trakasit, dakasit, makedonët e vjetër (Gosllavë) e për shumë popuj të tjerë që janë zhdukur, bashkë me gjuhët e tyre. Nuk dihet për trakishten, makedonishten (jo maqedonishten). Ka mbetur ndonjë gjurmë e tyre, por jo si tërësi, si gjuhë ato janë zhdukur. Shqipja mbijetoi! Pse, qysh e ku jetuan ata që nuk u zhdukën?! Ndoshta edhe tendenca e tyre që gjithmonë të largohen nga qendrat urbane. Edhe sot pothuaj është ashtu: shqiptarët banojnë, ngrenë tabanët e tyre kryesisht jashtë qendrave. Ja, për shembull, në Jabllanicë, Medvegjë nuk ka patur pothuajse asnjëherë në qytet shqiptarë, në rrethe – po, edhe në Tupallë, Sfircë, Gërbavc … Pra, edhe më herët këtë e kanë ndjekur shqiptarët, janë larguar nga qendrat e përziera, ku kanë qenë të izoluar. Kjo edhe është njëra nga arsyet pse mbijetuan sot e kësaj dite, sot e atë ditë!
V.
Idriz Ajeti i ndan në dy periudha zhvillimet e gjuhës shqipe, ajo pararilindase, mes shekujve XVI – XVIII dhe ajo pasuese e Rilindjes Kombëtare. Dhe konstaton se kishte nevojë për një gjuhë të përbashkët, për një alfabet të përbashkët, që edhe ta përdornin të gjithë ata veprimtarë që merreshin me problemet e gjuhës shqipe edhe me problemet politike, se Rilindja ka qenë një lëvizje e gjithë shqiptarëve në atë kohë. Dhe, jo vetëm që merrej me çështje politike, por ajo merrej edhe me çështje të kulturës, të gjuhës. Ja këta, ky grup i vogël, por i aftë merrej me problemet e gjuhës atë kohë. U formua alfabeti. Pastaj, shqipja u shkrua, u botuan shumë tekste lidhur me gjuhën. Gramatikën e parë e shkroi dhe e botoi Sami Frashëri. Ai është njësoj iniciator i shumë përpjekjeve në fushën e kulturës e gjuhës shqipe, por edhe turke.
VI.
Prof. Idriz Ajeti na rikujton se ndihmesë të madhe për avancimin e gjuhësisë sonë kanë dhënë edhe tubimet shkencore të viteve 1952, ’57,’ ’63, e sidomos Konsulta Gjuhësore në vitin 1968 në Prishtinë. Ndërkaq, Kongresi i Drejtshkrimit në Tiranë, më 1972, sanksionoi përpjekjet mëse l00-vjeçare për njësimin e gjuhës shqipe. Akademik Idriz Ajeti sqaron se zbatimi i gjuhës letrare ishte synim i të gjitha këshillimeve gjuhësore, që nga ai i vitit 1952, ’57, ’63, duke përfunduar në vitin 1968, në Konsultën Gjuhësore në Prishtinë, ku u tha se njësimi i gjuhës shqipe në të gjitha trojet e shqipes ishte rezultat i natyrshëm i proceseve shoqërore shqiptare, veçanërisht nga Rilindja e këndej.
Akademik Idriz Ajeti sqaron se kurrkush nuk ka kritikë ndaj gjuhës letrare se nuk është në rregull gjuhësisht, sepse ajo është krejt në rregull. Por konstaton se kritikat vijnë nga fushat e tjera: politika, klanet, rrethet kulturore, ideologjike, prej andej vijnë dhe pastaj shartohen edhe në gjuhë. Arsye gjuhësore shkencore nuk ka. Thonë pse përzihet pushteti?! Ai pushtet do ta përdorë atë gjuhë. Krijimi i gjuhës letrare thotë Katiçiq është akt politik dhe se duhet të trajtohet jo vetëm si punë shkencore. Është akt politik, në fund të fundit.
Shkruan Rrahman Hyseni