BOJNIKËT NËPËR SHEKUJ
Fshati Gjylekreshtë i ka disa emra të veçantë në dialekte shumë domthënëse siç janë Rrafshi i Çardakut, Bregu i Shkozës, Guri i Bardhë, Lisi i Gigave, Rrafshi i Cfetës, Butiat, Livadhi i Sofkës, Utrinat, Mrizi i Vadave, Zabeli.
Në fshatin Gjylekreshtë janë edhe varret e krushqve në dy vende, te Dardha e Shtrembër ndërmjet dy rrugëve kryesore ku ndahet rruga e Kapitit me rrugën kryesore në Sijarinë dhe kjo dëshmohet prej pleqve të vjetër…!
Lumi në fshatin Gjylekreshtë rrjedh prej shumë burimeve malore dhe kroje të pashterrura. Kroit te Guri i Ngultë dhe Kroit të Llogorit i bashkohet edhe Lumi i Dërvodelit. Ata bashkohen te Mulliri i Jeftës dhe shumë përrenj e kroje të fshatit vazhdojnë deri te mulliri i Islamëve, ku i bashkohen Lumit të Jugut të Dërvodelit edhe rrjedha e Përroit të Çeshmes të Radecit dhe vazhdon drejt Lumit të Bufcës…!
Lumi i Bufcës rrjedh në perëndim të Bufcës. Ndan fshatin Gjylekreshtë në lindje dhe fillon prej kroit të Mahallës së Bogdanve, prej Kroit të Cakës, prej Kroit te Mahalla Grci, përroit te shtëpia e çobanëve dhe vazhdon te krojet e mahallës së poshtme, ku bashkohet me lumin Gjylekreshtë te Mulliri i Islamëve. Aty bashkohet dhe rrjedh drejt lumit të Klaiqit, Popovcit, Shuman dhe iu bashkangjitur në Lebanë lumit Vardar dhe vazhdon në Moravë…!
Shkëputur nga libri: Bojnikët nepër shekuj (monografi) Autor: Emrush Abaz Bojniku, faqe 85,86, 87.
Dy fjalë për librin ” Bojnikët nëpër shekuj” (monografi) të autorit Emrush Abaz Osmani
Historia njerëzore ka vërtetuar se puna më e vështirë e njeriut është të njohë vetveten.
Të njohësh veten duhet nisur nga njohja e vendlindjes me këmbëngulje.
Së pari duhet të dimë se ku janë rrënjët tona dhe si pikësynim nisim nga njohja e tokës ku të parët tanë hodhën farën e pemës së jetës.
Pas kësaj nisim me krahinën dhe gradualisht sfera e njohjes zgjerohet deri në atë pikë sa, bindemi që ne njohim vetveten, gjenezën dhe evoluimin që ka bërë geni i të parëve tanë.
Historinë e bëjnë njerëzit dhe janë po ata që e shkruajnë atë si një thesar identiteti për brezat.
Por që të shkruhet historia, duhet të nisë me njerëzit, vendet, ngjarjet dhe koha e zhvillimit. Për fat të keq historia jonë ka shumë punë për të bërë.
Historinë tonë e kanë bërë studiuesit e huaj, apo fqinjët si dhe pushtuesit, sipas interesave të tyre në disfavor të së vërtetës për lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve.
Secili prej nesh ka obligimin dhe mundësinë të shkruaje ato që ai di, me qëllim orientimin e brezave të ardhshëm. Pa asnjë dyshim, ngjarjet personale, ato të treguara nga familjarët apo paraardhësit tanë, janë pjesë e historisë tonë.
Kur këto pjesëza historie shkruhen, edhe historianët e kanë më të lehtë që në të ardhmen të saktësojnë historinë e trishtë shqiptare.
Është një kontribut i vyer për kombin, dhe këtij kontributi i shërben edhe ky libër. Është libër ku përshkruhen thjeshtë, plot emocion e vërtetësi ngjarje të kohës.
Ngjarjet e vërteta, personazhet reale, orientimet për jetën dhe pasardhësit e tyre, janë një arsenal i vërtetë që mund të përdoret për të drituar më tej historinë e Luginës së Preshevës, të Medvegjës në veçanti.
Urime në libra të tjerë!
Shkruan Rrahman HYSENI