Në diskotekën “Pulse” që dikur kishte qenë një depo qilimash në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mbrëmë gjetën vdekjen 59 të rinj, ndërsa deri tani raportohen të jenë 155 të tjerë të lënduar.
Nga pamjet e publikuara, raportohet se gjithçka ndodhi kur në skenë ishte grupi që po performonte, e në një moment kur po ndizeshin fishekzjarret, tavani i objektit filloi të merrte flakë.
Ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski në konferencën e tij të fundit njoftoi se numri i viktimave tashmë kishte shkuar në 59.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari njoftoi se 20 persona ishin në gjendje kritike, dhe se ata do të dërgohen për shërim jashtë vendit, si Bullgari, Serbi e Turqi.
Viktimat janë të moshës 14 deri në 25, tha sot gjatë ditës Drejtoresha e Spitalit të Koçanit, Kristina Serafimova, ndërsa shtoi se janë nga Shkupi, Shtipi, Probishtip dhe Koçani.
Por ka shumë nga ata famijarë që po kërkojnë fëmijët e tyre përmes rrjete sociale, për të cilët s’kanë informacione. Madje një 21-vjeçare, e cila kishte qenë dhe vet në këtë festë, tha se s’dinë asgjë akoma për motrën e saj 25-vjeçare.
Në festën që ishte organizuar, ku u raportua nga mediat vendose se të pranishëm ishin 1500 persona, pronari i saj tashmë ka rënë nën pranga.
Ministri Toshokovski bëri të ditur para gazetarëve se janë lëshuar fletërrestime ndërkombëtare për katër persona.

Në mesin e viktimave u konfirmua të jetë njëri anëtar i grupit që po performonte mbrëmë aty në klub. Ndërsa këngëtari i grupit është në gjendje të rëndë, me oksigjen.
Edhe një futbollist, Andrej Lazarov, pjesë e ekipit të Shkupit, vdiq pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar se qeveria pritet të shpallë 7 ditë zie për tragjedinë që ndodhi të shtunën në Koçan.