Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar këtë të enjte rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë. Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati në fjalimin e tij ka deklaruar se gjatë procesit ka pasur përfshirje të politikanëve, e shumë figurave të njohura, transmeton Medvegjasot.com
“Nga regjistrimi i vitit 2024 del se Kosova ka 1,602,515 banorë rezidentë. Besoj që regjistrimi ia ka arritur qëllimit, dhe ka kaluar ashtu siç kanë qenë pritjet”, ka njoftuar Kastrati.
Gjithashtu, ai u shpreh se stafi ka qenë i përgatitur dhe aktiv në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Ndërtimi në Kosovë ka pësuar një ngritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2011.
Mbi 93% e popullsisë janë pronarë, ndërsa një numër i vogël jeton me qera.
Numri i ekonomive familjare është rritur me 69,505, ose mbi 23%, krahasuar me vitin 2011.
Për sa i përket strukturës demografike, hendeku gjinor është zvogëluar me 11,975 banorë.
Grupi moshor 0-14 vjeç ka shënuar një ulje prej 6.07%, ndërsa grupmosha 15-64 vjeç është rritur me 1.83%. Po ashtu, grupmosha 65+ ka shënuar një rritje prej 4%. Mosha mesatare e popullsisë është 34.84 vjet, me femrat që kanë një mesatare prej 33.66 vjet, dhe meshkujt 34.03 vjet.
Në krahasim me vitin 2011, ku dominonte grupmosha 10-14 vjeç, tani dominon mosha 20-24 vjeç.
Sipas ASK-së, shkalla e analfabetizmit ka rënë nga 3.85% në 2.27%, një shenjë e dukshme përparimi në arsimin e Kosovës, veçanërisht për të moshuarit.
Struktura etnike e Kosovës ka mbetur e njëjtë si në vitin 2011, me shumicën shqiptare që përbën pjesën më të madhe të popullsisë, ndërsa minoritetet ruajnë një prezencë të konsiderueshme.
Përkatësia fetare vazhdon të dominohet nga besimi islam, i cili mbetet në 93.49%, njësoj si në vitin 2011.
Sa i përket diasporës, deri tani janë regjistruar 550,000 persona, ndërsa numri total i popullsisë rezidente në Kosovë arrin në 1,602,515 banorë.
Gjatë prezantimit të këtyre të dhënave u paraqit edhe një video me disa momente gjatë punës së tyre disa muajsh. /MedvegjaSot.com