Të Dielën e Petullave në Zym të Hasit !

Në shumë vise etnike shqiptare në Ballkan edhe sot e kësaj dite kremtohen Festa të bukës, që diku njihen edhe si Festa të korrave apo Darka të bereqeteve, që kryesisht kremtohen apo shënohen në kohë të ndryshme të vitit (Elsie, Robert: “Leksiku i kulturës popullore shqiptare. Besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore”, Skanderbeg Books, Tiranë, 2005, faqe 36). Madje, në Zym të Hasit janë disa ditë të caktuara, që njihen si Festat e bukës apo Ditët e bukës. Gjatë atyre ditëve përgatiten gatojsa të veçanta nga brumërat, që e karakterizojnë ditën e caktuar. Këto festa, përkatësisht ditë të bukës janë: Kulaçi i buzmit dhe kuleçët për të afërmit, Silla e bijave, E enjtja e flijave dhe (e enjtja) e kënusit, E diela e petllave – Të lidhnet, E martja e t’Lidhneve, Lakror apo pite me monedhë metali për Shën Jozef, Kungimi, Buka e bekuar, Përpeqi i të Dielës së Pashkëve, Përsheshi me tambël për Shën Gjergj, Darka e lamës, Kulaçi i nuses etj.


Njëherësh, edhe te shqiptarët e besimit islam – sunit, të Zymit, Shëngjergjit e Bregdrinit, për Ditët dhe Netët e mëdha, janë gatuar bukët rituale, e në veçanti për Fiter Bajram e Kurban Bajram ka qenë praktikë të gatuhen bukët simite, përkatësisht për këto dhe festat tjera është gatuar hallve , si për: Natën e Regaibit, Natën e Miraxhit, Natën e Beratit, Muajin e Ramazanit, Natën e Kadrit, Fiter Bajramin, Kurban Bajramin, Ditën e Hashurës, Natën e Mevludit, si dhe te pjesëtarët e Bektashijve: Dita e Verës, Sulltan Nevruzi dhe Muaji Matem, përkatësisht Muharrem, festa këto që janë përcjellë me lloje të ndryshme të bukëve, kuleçeve, piteve e me drithëra të zier – hashure, të cilat kanë kuptim shenjtërie për njerëz, blegtori apo bujqësi (Tregoi Destan Çollaku (1935), nga Zymi, shtator 2020). Në një mënyrë, si festë është konsideruar edhe vizita e lehonave. Ndër respektin që sjellnin gratë, nga familja e prindërve, për lehonën, ishin edhe kuleçët, petullat apo pulë e pjekur, kurse fëmijës së posalindur i qitnin në ballë ndonjë monedhë të sermtë për djalë, përkatësisht ndonjë kartëmone-dhë të letrës apo pjesë të veshjes për vajzë.
Pra, buka dhe gatojsat tjera nga mielli, edhe këtu e kanë një simbolikë të veçantë në ritet e lindjes (Mitrushi, LI.: “Zakone të findjes”, “Etnografi shqiptare”, IV, 1972, faqe 116).

KULAÇI I BUZMIT DHE KULEÇTË PËR TË AFËRMIT


Në vigjilje të Kërshëndellave, më 24 dhjetor, me ceremoni e rituale në mëngjes herët, njëri nga meshkujt e familjes, shkon në malin e vet dhe e pren buzmin. Në Zym buzmi duhet të jetë dru çarri (në mjedise të tjera mund të jetë dru bungu, arre, hardhie, gështenje, qershie etj.).
Në Zym prehet vetëm një buzm. Kur sillet në oborr, buzmi mbështetet për shtëpi.
Duhet përmendur se kur dikush nga meshkujt shkon në mal për ta prerë buzmin, shpnesha qet grurë (me ndonjë kokërr kallamoqi e fasule) për ta zierë, gatuan kulaçin e buzmit (më i madh) dhe kuleç (E përdorim formën kuleç në vend kuleçe. Kështu kam vepruar edhe për disa fjalë të tjera) të tjerë për pjesëtarët e familjes dhe të farefisit, për miq e për dashamirë; pastaj tëhollon petë, thyen arra dhe shtypen për të bërë nërpetë (lloj pite) dhe përgatit edhe ushqime të tjera.
Në orët e mbrëmjes buzmit i prehen degët dhe copëtohet. Pastaj, të gjithë anëtarët e familjes, përveç të zotit të shtëpisë dhe shpneshës (shtëpiakës, baçicës, zojës së shtëpisë), të cilët rrijnë afër vatrës, të tjerët dalin jashtë. Sipas moshës, nga më i vjetri e deri te më i riu, marrin copë të buzmit dhe degë dhe fillojnë të hyjnë brenda në shtëpi. Kur janë gati për të hyrë ata thonë me zë:
“Po vjen buzmi bujar
me gjethe e me bar
m shtjerra,
mbas tyne vjen vera”.
Më i vjetri hyn i pari duke thënë: “Koftë mirë zoti i shpisë!”, e ai i përgjigjet: “Mirë se vjen! Me çka po vjen?” Ky i përgjigjet: “Me sh’net e me bereqet e me të gjitha të mirat e Zotit” dhe i lëshon copat dhe pjesën kryesore të buzmit afër vatrës. Pastaj hyn tjetri, i cili po ashtu i përsërit fjalët e të parit, sikurse edhe i zoti i shtëpisë. Mirëpo, tjetri shton: “Po vij me djem e vajza e me miq e dashamirë”, kurse tjetri pas tij vazhdon: ”Po vij me lopë e kije, me dhi e dhen, me kalë e magar (e kështu i përmend edhe shtazë të tjera); tjetri pas tij shton “Me grunë, me kallamoq, me pemë e kunguj…” dhe kështu hyjnë të gjithë duke thënë nga diçka. Pastaj ulen rreth e rrotull vatrës.
Atëherë i zoti i shtëpisë e vë pjesën më të trashë të buzmit në zjarr e mbi të edhe copat e tjera. Kryet e buzmit (pjesa e trashë) është i prerë pjerrtas, ku është i gdhendur kryqi.
Në kryqin e buzmit i zoti i shtëpisë e ndez një qiri (të vogël), e thyen kulaçin e buzmit dhe pak e qet në buzm, sikurse që qet edhe një lugë grurë të zierë, e bereqete të tjera. Në vazhdim i zoti i shtëpisë e thotë lutjen – uratën e bereqeteve dhe të lindjes së Jezu Krishtit. Pastaj të gjithë anëtarët e familjes pinë nga pak verë, natyrisht duke e uruar festën e Kërshëndellave. (Tirta, Mark: “Kulte të bujqësisë dhe të blegtorisë në popullin tonë”, “Etnografia Shqiptare IX”, Tiranë, 1978). Në vendin ku do të shtrohet sofra qitet pak kashtë me ndonjë fije tallë. Mbi to shtrohet sofra dhe në të qiten bereqetet, duke filluar nga kulaçi i buzmit, pitja me petë, gruri i zierë, pemë e perime si dhe raki e verë. Darkojnë të gjithë anëtarët e familjes së bashku. Sofra mbetet e shtruar tërë natën (arsyeja: “Le të ushqehen edhe ata që ne nuk i shohim e as nuk i njohim, por që diku ekzistojnë…”, përkatësisht (plotësim imi) për t’u ushqyer kalimtarët…) (Shtufi, Pal: “Buzmi shqiptar, ritual pagan apo i krishterë`), e dritat nuk fiken fare në gjithë shtëpinë (Kristaj, Frrok: “Galdime shpirtërore”, KL “Shtjefën Gjeçovi”, Zym, 2011, faqe 56-57; Kristaj, Frrok: “Tradita e Kërshëndellave në Zym të Hasit”, IAP, Prishtinë, 2007, faqe 213-219; Gjeçovi, Atë Shtjefën: “Buzmi”, dorëshkrim i pabotuar, 12 dhjetor 1926; Kristaj, Frrok: “Kërshëndellat – festë e lindjes të jetës së re”, “Bota sot”, Prishtinë, 24 dhjetor 2010, faqe 26-27; Kristaj, Frrok: “Riti i buzmit dhe i kolendrave”, “Bota sot”, Prishtinë, 24 dhjetor 2003, faqe 23).

SILLA E BIJAVE


Silla e bijave mbahet tri javë para Të lidhnave (krezhmëve). Thirren bijat dhe festa kremtohet me bija të shtëpisë e të fisit. Në sillen e bijave nga gatimet e brumrave gatuhen petlla dhe pite. Pas silles, kur të shpërndahen bijat, u jepet me veti petlla.

E ENJTJA E FLIJAVE DHE (E ENJTJA) E KËNUSIT


E enjtja e fliave dhe e kënusit është festë familjare, që do të thotë se secila familje e kremton vetëm me anëtarët e vet. Me këtë rast për mëngjes gatuhen flia dhe petlla, kurse për darkë prehet (theret) kënusi (gjeli). Të dielën pas të enjtes së fliave dhe të kënusit, kremtohet E Diela e petullave.

E DIELA E PETULLAVE – T’LIDHNET


E diela e petullave ose ndryshe – Të lidhnet (lidhunat) në kalendarin biblik njihet me termin Dita e t’lidhneve, pra dita kur lidhet moti deri në ardhjen e Pashkëve. Në historinë e Krishterimit me kryqëzimin e Jezu Krishtit kishte filluar përndjekja e dishepujve (dëshmitarëve, nxënësve…) të tij, e ndër ta më së shumti ndiqej apostulli Pjetër, i cili përhapi fjalën e Krishtit deri në Iliri (e nga aty e nëpër Evropë e përhapen ilirët e tjerë si Titi etj.). Për këtë përhapje të fjalës së Krishtit edhe Pjetri u kryqëzua, por për dallim nga Krishti, Pjetri u kryqëzua kokëposhtë. Kjo ditë për të krishterët mbeti në histori në përkujtim të Pjetrit, që më vonë u shenjtërua si krahu i djathtë i Krishtit.
Pra, gatimi i petullave të Dielën e etullave, përkatësisht të Lidhnave lidhet me ditën e kryqëzimit të shën Pjetrit, ku murgeshat gatuanin petulla për t’i ushqyer të persekutuarit dhe të varfrit.
Me Ditën e petullave – Ditën e t’lidhnave fillon koha e përsiatjeve të parapërgatitjeve të Ditës së Pashkëve.

E MARTJA E T’lIDHNEVE


Kremtohet vetëm me anëtarët e familjes. Gatuhen kallpite dhe petulla. Këtë ditë merret ushqim vetëm një herë në ditë. Të tjerët këtë ditë e njohin si Dita e barklugatit, që konsiderohet se lugati e ka barkun e madh e se hanë shumë. Bile, gratë e Çollakëve (të besimit islam) zakonisht kanë pyet se kur e keni ditën e barklugatit? Këtë ditë praktikohet me ngrënë edhe hudhra për mos marrë mësysh.

LAKRORË APO PITE ME MONEDHË PËR SHËN JOZEF


Festa fetare e besimtarëve katolik – Shën Jozefi, që njihet si pajtor i punës, quhet edhe Shën Jozefi punëtor. Kremtohet më 19 mars, kohë kjo kur dielli kthehej kah vera, përkatësisht kur bari përshëndetej me tokën duke e falënderuar (tokën) që e ka mbajtur në gji, e që tani mund të dalë (mugullon) mbi tokë. Për këtë festë është zakon të gatuhet një pite me lakra të gjelbra të livadheve të egra. Në mes të pites qitet një monedhë. Dhe gjatë ngrënies, ai që e gjen monedhën e metaltë, konsiderohet njeri me fat në jetë.

BUKA NA BASHKON


Java nga e Diela e Luleve e deri te e Diela e Pashkëve, quhet Java e Madhe. Dita e enjte para Pashkëve, njihet edhe si Darka e fundit (darka e ndarjes). Në atë darkë konsiderohet se Krishti i kishte gostit nxënësit e vet vetëm me bukë e me verë. Me bukë sepse buka, përveç që ushqen, ajo edhe na bashkon; na bashkon rreth tryezës (sofrës), që është e rrumbullakët, ndërsa buka, që poashtu është e rrumbullakët, vendoset midis sofrës (tryezës). Nga ajo bukë marrin të gjithë nga një pjesë, përkatësisht të gjithë pjesëtarët rreth sofrës bëhen pjesëtarë të një buke.
Në anën tjetër, dihet se buka bëhet prej miellit, kurse mielli prej kokrrave të drithërave, që kanë nëpër kallinj. Po sa kokrra drithi janë të shpërndara nga kallinjtë nëpër arë, që bashkohen për t’u bluar – për t’u bërë miell në mënyrë që të gatuhet buka, ashtu edhe njerëzit si kokrrat e drithërave bashkohen rreth sofrës (tryezës).
Pra, buka është simbol bashkimi, ashtu edhe Krishti me themelimin e meshës, e ka gatuar edhe kungimin (gatojsë e veçantë – gatuhet vetëm me miell e verë të kuqe), që është menduar t’u jepet vetëm atyre që rrëfehen, përkatësisht vetëm atyre që ia hapin zemrën bashkimit dhe bukës. Nga kjo del se mesha e kungimi janë shenja të bashkimit me Krishtin dhe me njëri-tjetrin. Po vera? Pra bashkimi është shenjë gëzimi, domethënë se edhe bashkimi rreth bukës është shenjë gëzimi, e gëzimi e do edhe verën, prandaj meshtari pas kungimit pi pak verë të kuqe.

BUKA E BEKUAR


Historia e “Bukës së bekueme” lidhet me festën e ringjalljes së Krishtit. Natën e Pashkëve, pra të Shtunën e Madhe, në kishë hyhet me qirinj të ndezur, që simbolizojnë fitoren e dritës mbi errësirën, e më pastaj mbahet mesha. Pas meshës famullitari bën bekimin e bukës (pagaçe apo siç njihet edhe me emrin bukë nore) dhe të bereqeteve të tjera, bekim ky që lidhet me dashurinë shpirtërore, dashurinë ndaj Zotit, shenjtërve, vëllait, mikut, shokut, e për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit lidhet edhe me mallin për shtëpinë, të afërmit dhe tokën e të parëve etj., kurse të dielën kremtohet ngjallja e Krishtit, Pashkët, ditë kjo kur shtrohet sofra (tryeza) për të ngrënë bashkërisht bukën e bekuar dhe ushqimet e tjera (djathë, hudhra, vezë, kripë etj.).
s mëngjesit lahen duart në një enë të veçantë, në mënyrë që uji me të cilin janë larë duart që kanë prekur bukën e bekuar, të mos derdhët kudo, por në vendet e pastra e ku nuk shkelet, kurse më pastaj bëhet urimi i festës së Pashkëve me “Me shëndet Pashkët!” apo “Për shumë mot Pashkët!” (Kristaj, Frrok: “Galdime shpirtërore”, KL “Shtjefën Gjeçovi”, Zym, 2011, faqe 64-67; Kristaj, Frrok: “Pashkët”, “Lajm”, Prishtinë, 31 maj 2008, faqe 1 e 18; Kriataj, Frrok: “Pashkët – festë e ringjalljes”, “Bota sot”, Prishtinë, 12 prill 2004; Kristaj, Frrok: “Pashkët – festë e ringjalljes”, “Bota sot”, Prishtinë, 28 mars 2005, faqe 24-25).

PËRPEQI I TË DIELËS SË PASHKËVE


Meqenëse Pashkët janë festë e ringjalljes, të Dielën e Pashkëve ushqim kryesor është përpeqi. Kjo gjellë zakonisht gatuhet me petë të holla dhe me kulloshtër (qumështi i trashë i bagëtive që sapo kanë pjellë, zakonisht ky lloj qumështi brenda tri-katër ditësh i takon viçit, edhit, qengjit ose kishkut, mirëpo mund të përdorët edhe për përpeq), pra lloj qumështi nga shtimi i bagëtive. Në mungesë të kulloshtrës, gatuhet me qumësht e vezë, që rrahën shumë dhe qiten mbi petë sikur përpeqi origjinal.

PËRSHESHI ME TAMBËL (QUMËSHT) PËR SHËN GJERGJ


Shqiptarët e besimit katolik në Zym, Shëngjergj e Bregdri, festën e Shën Gjergjit e kremtojnë më 23 prill. Kjo festë është e lagjes Berishë (Berishë, Kolgjeraj, Prekaj, Markprekaj, Pecollaj, Preklushaj, Dulaj, Marklushaj e Lekaj).
Megjithatë, për Shën Gjergj banorët e këtyre vendbanimeve, si kudo tjetër, zgjohen herët, e lajnë fytyrën me ujë të sjellë nga bunari apo kroi, e fërkojnë me nga një vezë të ngjyrosur të Pashkëve, që e ruajnë për Shën Gjergj, e qesin nga një rremb të shelqes mbi dyer, luhaten në silarthi (sallanxhak), e kështu me radhë.
Në ditën e Shën Gjergjit për ushqim të mëngjesit praktikohet të hanë përshesh (në Has i thuhet pshesh) me bukë të kallamojt apo bukë mrume (të grujt) me tambël, sepse duhet t’u shkojë vera e bardhë si qumështi.

LAMA E PARË DHE ZHVOSHJA E FUNDIT


Gjatë fshirjes së lames (Edhe këtë formë e lëmë ashtu si përdoret në Zym).
së parë të grurit të ri, pasi hiqet kashta dhe rragavatet (ndahet) me tërfurq (sfurqë) e grabuja kashta nga drithi, gruri mblidhet grumbull në njërën anë të lamës dhe përgatitej për t’u hedhur me terplote, që të ndahet byku nga gruri i pastër.
Me atë rast në njërën anë të grumbullit të grurit qëndron i zoti i shtëpisë, kurse përballë tij një i ri që qëndron ulur ngaluc. Ata e bëjnë ritin e shtimit të bereqetit (në këtë rast të grurit) duke e luajtur lojën që kur njëri ngrihet, tjetri ulet, duke thënë:
Duke aluduar që grumbulli i grurit të rritej mbi një “bojë” (shtat) njeriu. Ky rit njihet edhe si “Shtrumja e lamës” (parë), “Darka e fushës”, “Darka e kores” apo “Dita e bukës së re”.
Po kështu veprohet edhe në vjeshtë kur “qërohet” (zhveshet, zhvoshet) kallamoqi. Dhe derisa femrat e zhvoshin kallamoqin dhe e hedhin në grumbull (në mes të lëmës), meshkujt i mbushin thasët dhe i bartin në koshat e kallamoqit.
Me atë rast femrat këndojnë:
Falna Zot bereqet –
Për shumë mot
e për shumë vjet.
Sivjet Zoti boll ka falë –
N’mot u shtofshim me një djalë!
Ndërsa, gratë në anën tjetër përgjigjen:
Ju lumtë goja, mirë keni folë,
Do t’ia ngjesim emnin Kolë.
Pitja me kungull për Shëne Prene
Në Zym të Hasit praktikohet që për festën e Shëne Prene (kremtohet në fshatin Shëngjergj më 26 korrik) të gatuhet pite me kungull apo edhe kungullur (disa peta në fund të tepsisë e pastaj hiqen farat dhe gërryhet pjesa e mbrëndshme e kungullit, e cila përzihet me qumsht dhe qitet mbi petët e shtrira dhe piqet. Në këto anë gungujt fillojnë të piqet rreth kohës së kësaj feste.

DARKA E LAMËS


Tradita e traditën e Ilirëve në veçanti dallohej tradita e “Darkës së lamës”, me ç’rast shtrohej sofra në shenjë falenderimi ndaj natyrës e Perëndisë, për frutat bujqësore, të cilat bujku në vjeshtë i mbledhë dhe i ruan në hambar, kosha e plevica.
Dikur edhe në Zym praktikohej shënimi i “Darkës së lamës” apo siç njihej ndryshe “Darka e kores”. Kjo festë shënon përfundimin e punëve bujqësore, përkatësisht shënon mbledhjen e të gjitha bereqeteve të vitit. Për këtë festë gatuhen kryesisht lloje të ndryshme të piteve.
Madje, thuhet se Gjon Nikollë Kazazi kur shërbeu në Kishën e Shën Prenës në vendin Tri Rrasat, e organizonte ritin e darkës të mbledhjes së bereqeteve, me ç’rast besimtarët luteshin me qirinjë të ndezur në duar (qirinjët ishin të punuar prej dylli, që sigurohej nga rrëshina e pishës-breut në Pashtrik).
Darka e lamës” përfshin periudhën kohore – Shën Jozefi punëtor (19 mars) – Shën Mitër (26 tetor). Megjithatë, në Zym “Darka e lamës” gjithmonë është kremtuar kah gjysma e nëntorit (institucionet shtetërore të Kosovës në kohën e udhëheqjes së Ibrahim Rugovës “Darkën e lamës” e kishin shpallur festë zyrtare dhe kishin vendosur që ajo të kremtohej më 23 tetor të çdo viti (Krasniqi, akademik Mark: “Mikpritja…”, 2005, faqe 71).
Pas darkës familjet që ishin të përgatitura për dimër shprehen kështu:
Dru n’oborr,
Drith n’hambarë,
Thujmi dimrit
T’pres me ardhë!
… kurse gjatë dimrit thonë:
Blujë e gatujë,
Rri, e mos luj!
Do thënë se përveç “Darkës së lamës”, njihen edhe variacione të tjera gjuhësore të njohura, si: “Darka e fushës”, “Darka e bereqetit”, etj.

KULAÇI I NUSES


Dasma në Zym të Hasit të Thatë përcillet me këngë e me rite të ndryshme popullore. Në veçanti jaë të njohura këngët e kulaçit (të nuses) dhe të grishtarit, përkatësisht të thirrësit. Në fakt, në gjysmë të natës të së mërkurës, duke filluar e enjtja, mblidhen vajzat e farefisit për të kënduar kur gatuhet kulaçi i nuses.
Në atë kohë, i zoti i shtëpisë shtie me pushkë, që shënon fillimin e dasmës. Në mëngjesin e ditës së enjte, kur mblidhen kushërinjtë, përgatitet grishtari për të dalë e për t’i thirrur dasmorët. Atëherë vajzat u bien dajreve (defeve) dhe këndojnë këngë të grishtarit:
Po del drita për dallapi
Po del drita për dallapi.

  • Mori nuse, a je gati?
  • Gati jam, moj, gati s’jam
  • veç duvakin nuk e kam.
    Burri duvakun s’ma ka pru,
    ale kulaçin s’ma kish gatu.
    Kur vajza e caktuar fillon ta gatuajë kulaçin, shoqet këndojnë rreth magjetores:
    Qaja pushkë sa fortë krisi
    Qaja pushkë sa fort krisi;
    kjo (jepet emri i vajzës, që ndryshon nga vendi në vend) kulaçin e nisi.
    tash kulaçin p’egatuejmë
    dhe grishtarin pe e tfillojmë.
    Na qit ditë e kena pritë
    Nuses kulaçin me ja qitë.
    nuses bojën tu‘ja vnue
    na kulaçin tu’ja gatue.
    Në këto këngë figurat më të shpeshta janë personifikimi, hiperbola, krahasimi, etj. Ja një hiperbolë, ku gëzimi për dasmë paraqitet tepër i zmadhuar:

Kulaçi nuses t’u ka bet
(Këndohet kur piqet e zbulohet kulaçi nga prushi dhe fshihet)
Oj kulaçi i nuses, ani tuk a bet-e,
ani t’lumt na t’lumt-o, o për kit adet-e!
Oj kulaçi i nuses, ani vija-vija,
ani na janë gzu-o shpija dhe kojshija.
Oj kulaçi i nuses, ani gropa-gropa,
ani na janë gzu-o qiella e toka.
Oj kulaçi i nuses, ani bojë mavit-e
ani na janë gzu-o ani tanë kojshit-e.
Oj kulaçi i nuses, ani tuj vetu-e,
ani pa ardhë nusja s’ka kush m’e kërku-e.
Oj kur t’na vjen nusja ani në kit vend-e,
na kulaçin pshesh-o ani do t’ja bajm-e.
Pra, sikur në shumë vise të tjera etnike shqiptare, edhe në Zym të Hasit, dasma paraqet ngjarje shumë të rëndësishme në jetën familjare. Zakonisht dita e dasmës caktohet me rastin e “ndamjes së vadës” të vajzës që martohet. E “ndamja e vadës” bëhet gjatë Festës së Pashkëve. Do përmendur se gjatë motit të lidhur (shtatë javë të kreshmëve para Pashkëve) nuk bëhet asnjë fejesë, nuk caktohet asnjë dasmë, përkatësisht nuk martohet askush. Po, atëherë, kur bëhen dasmat në Zym?
Dasmat bëhen zakonisht në vjeshtën e vonë, atëherë kur kryhen punët bujqësore – kur mblidhen bereqetet, por edhe kur kurbetçinjtë kthejnë në familjet e tyre.
Si zakonisht dasma fillon, siç thamë, në gjysmë të natës të ditës së mërkurë duke filluar e enjtja, kur mblidhen vajzat e farefisit për të kënduar me rastin e gatimit të kulaçit të nuses.
Në Zym, në rastet më të shpeshta, dasma fillon ditën e enjte dhe përfundon ditën e hënë. Natyrisht se nata e dasmës bëhet ditën e shtunë, kurse të dielën, meqë është edhe ditë pushimi te besimtarët katolikë, është dita e dasmës. Të enjten, pas mesnatës, mblidhen vajzat mbi gjashtëmbë-dhjetëvjeçare të kushërinjve e të farefisit, përkatësisht të lagjes, për të marrë pjesë në ceremoninë e të gatuarit të kulaçit të nuses. Me atë rast së pari shpnesha (baçica) e sitë sasinë e miellit sa për një kulaç. Atë miell e qet në kërbëll (enë e drurit me fund të ngushtë e grykë të gjerë, në formë elipse, me të cilën dikur bartej rrushi nga vreshtat e Zymit), pastaj ndizet zjarri, vlohet uji dhe në atë kohë i zoti i shtëpisë shtie me pushkë, që shënon fillimin e dasmës, kurse fshati e kupton se filloi gazmendi familjar, por në një farë mënyre farefisi e kupton se edhe u ftuan në gazmend.
Do përmendur se kulaçin e gatuan vajza e cila vjen nga radhët e kushërinjve, apo ndonjë mbesë, që i ka të dy prindërit, që ka vëlla dhe që është e fejuar. Pra, vajza e kulaçit e nxjerrë miellin nga kërblla dhe e shpërndan nëpër magje, i qet pak kripë, por edhe pak sherbet dhe e ulë brumin, përkatësisht e gatuan kulaçin. Kulaçi duhet të piqet mbi një rrasë të nxehtë, që mbulohet me prush. Pasi të piqet, po ajo vajzë e pastron nga hiri, e mbështjell me ndonjë harrën dhe e vë mbi trá.
Kulaçi i nuses thyhet ditën e hënë herët, që në Zym njihet si dita e miqve e në disa mjedise njihet edhe si dita e granimit. Shpnesha me kulaçin e nuses bën përshesh me tambël, në mënyrë që bashkëshortët e rinj jetën ta kenë të ëmbël dhe të bardhë. Atë përshesh së pari e hanë dhëndri e nusja për t’u shkuar jeta në harmoni, e ëmbël dhe e bardhë siç është qumështi, kurse dasmorëve u jepet të hanë me dëshirë që të shtohet familja e të mbushet ashtu siç është mbushur gjatë dasmës. Do përmendur se riti i kulaçit të nuses në Zym të Hasit edhe sot e kësaj dite nderohet shumë, ngase me këtë rit (të kulaçit të nuses), fillon dhe përfundon dasma (Kristaj, Frrok: “Galdime shpirtërore”, KL “Shtjefën Gjeçovi”, Zym, 2011, faqe 76-77, 83-87 e 89; Berisha, Anton: “Grishja dhe këngët e grishtarit në Zym”,“Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji”, IAP, Prishtinë, viti 1975, faqe 143-156; Kristaj, Frrok: “Këngët e kulaçit”, “Gjurmime Albanologjike – folklor dhe etnologji”, IAP, Prishtinë, nr. III, 1973, faqe 126-129).

“FESTIVALI I BUKËS” – DITA E BUKËS ZYMJANE

Në Zym të Hasit (komuna e Prizrenit) tash e shtatë vjet me radhë mbahet “Festivali i bukës” (2016-2022). Në këtë festival kryesisht janë trajtuar temat që kanë të bëjnë me fushën e festave të bukës dhe me ritet e tyre. Në fakt, në këtë manifestim kulturor e trashëgimor deri më tash kanë marrë pjesë 228 shoqata e grupe të grave nga viset e ndryshme etnike shqiptare, që kanë ekspozua 518 lloje të gatimeve nga mielli. Poashtu, për çdo edicion të këtij manifestimi janë organizuar tryeza shkencore, janë hapur ekspozita të artizanateve, të veshjeve e janë mbajtur panaire të prodhimeve.
Do përmendur se organizatorët e “Festivalit të bukës” në Zym, në vitin 2019, e përgatiti Marrëveshjen për Bashkëpunim të Shoqatave dhe grupeve të grave të Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe të diasporës shqiptare.
Realizimi i kësaj marrëveshje bëhet mbi baza të bashkëpunimit, të këmbimit të përvojave, organizimit të trajnimeve, të demonstrimit të prodhimeve, organizimit të panaireve, festivaleve, ekspozitave të përbashkëta në fushën e gatimive tradicionale, të përpunimit dhe konzervimi i të pemëve e perimeve, punimit të artizanateve dhe punimit të veshjeve tradicionale, gjithë kjo në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të turizmit të komunitetit, turizmit rural, kulturor etj.
Vlenë të përmendim se marrëveshja e përmendur u nënshkrua nga nikoqiri – Frrok Kristaj, (në emër të organizatori i këtij manifestimi), pastaj Remzije Berisha (koordinatore e shoqatave të grave), Përparim Laçi (shoqata shumësportshe dhe të turizmit – koordinator i shoqatës së restauranteve turistike për Shqipërinë veriore), Neshat Mehmedi (Shoqata “Karnevalet ilire” në Buzovcë të Malësisë së Tetovës në Maqedoninë Veriore e etj.

(Marrë nga monografia “BUKA E ZYMIT” e Frrok Kristajt, Sh.Sh. “Shtjefën Gjeçovi”, Zym-Has, 2021, faqe 53-88)