Mr. Kurtesh Devaja, u lind më 1947 në Radivojc të komunës së Vitisë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Gjilan. Studimet universitare i mbaroi në Universitetin e Shkupit “Qirili dhe Metodi”. Ka marrë titullin magjistër i filozofise në Universitetin e Tiranës. Gjatë studimeve në Shkup nisi karrierën në gazetari duke punuar për gazetën e dikurshme “Flaka e Vëllazërimit”, që botohej në Shkup, ndërkaq pas mbarimit të studimeve për dy vite punoi si mësimëdhënës në gjimnazin e Vitisë, si profesor i lëndëve filozofi, sociologji, logjikë dhe psikologji. Por për atë që niset në rrugën e gazetarisë fuqia magjike e këtij profesioni e tërheq si forcë magnetike. Krahas punës në gjimnaz u angazhua edhe si bashkëpuntor i rregullt i gazetës “Rilindja”, revistës javore për të rinj, “Zëri i rinisë” dhe në gazetat e të tjera. Ndërkaq, nga viti 1974, kaloi te Radio Prishtina, si gazetar-redaktor i emisioneve qendrore informative ku punoi deri më 5 korrik të vitit 1990, kur regjimi policor i Serbisë me në krye kasapin e Ballkanit, Millosheviq, e nxorri me dhunë nga puna ashtu si dhe 1300 punonjësit e tjerë të RTP-së.
Duhet theksuar në kohën kur Kosova dhe populli i saj po përjetonte një gjendje të jashtëzakonshme të dhunës nga pushteti i serbo-jugosllav, sidomos në kohën e marsheve dhe tubimeve protestuese të nëntorit (1988) dhe grevave të minatorëve të “Trepçës” në shkurt 1989, me ndihmën e kolegëve nga Radio Zagrebi – Radio Kroacia, Milenko Pajaliq dhe Dubravko Merliq (Televizioni kroat), Kurteshi u angazhua si korrespodent i Radio Zagrebit (Radio Kroacia), ku ky institucion informativ në atë kohë dha një kontribut të jashtëzakonshëm e të rëndësishëm për informimin e drejtë të opinionit jashtë Kosovës.
Pas përfundimit të grevave të minatorëve, atë dhe disa kolegë të tij të RTP-së, me kërkesën e Komitetit Krahinor të LKK, për një kohë i dënuan dhe suspenduan nga puna. Në fakt në këto vite, gadi tërë potencialin e kuadrove intelektuale, pastaj minatorët dhe individët e tjerë që kishin kontribuar në informimin e drejtë për segregacionin e egër që po i përgatitej Kosovës, pësuan rëndë, kush më pak e kush më shumë. Ndërsa, kulmi i një atmosfere të egër tensionuese u krijua në korrik të vitit 1990, kur delegatët shqiptar u penguan t`i kryejnë obligimet e veta me procedurë normale parlamentare. Prandaj një gjendje e tillë delegatët shqiptarë i shtynë që më 2 korrik 1990, nën qiellin e hapur, para dyerëve të mbylluar të Kuvendit të Kosovës, të shpallin Dekleratën Kushtetuese për statusin e ri të Kosovës.
Në këtë situatë tensionuese mjetet e informimit kishin luajtur një të rëndësishëm në informimin e opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, prandaj në shenjë hakmarrjeje regjimi i Millosheviqit tri ditë më vonë (më 5 korrik 1990) mbylli me dhunë Radiotelevizionin e Prishtinë e disa ditë më vonë mbylli edhe gazetën “Rilindja”.
Në ditën e ndëhyrjes me dhunë të ekspeditës policore më 5 korrik 1990, Kurtesh Devaja ishte redaktor i edicionit informativ “Ngjarje dite”, dhe ndodheshte në studion e transmetimit të drejtperdrejtë kur befas deri sa emetohej edicioni “Ngjarje Dite”, policia serbe e armatosur deri në dhëmb hyri në studio dhe urdhëroi që ta ndrepresë emisionin. Në studio ndodheshin: folësit (spikerët), Nexhmije Bytyçi, Driton Çapari dhe ai – redaktor i edicionit. Në ato momente Kurteshi refuzoi zbatimin e urdhërit të policëve dhe vazhdoi tutje emisionin duke mos lëvizur fare nga vendi. Policët u egërsuan duke parë rezistenën e tij e nga ana tjetër dera e studios nuk hapej, policët ndërkohë gjetën një gazetar serb (Dragan Zhoriq), që u ndihmoi në
hapjen e derës dhe kështu policët hynë brenda në studio dhe filluan me dhunë të tmerrshme psikike dhe fizike t’i nxjerrin jashtë studios, duke e urdhëruar që të mos marrë as letrat që kishte në stolin e studios. Në ato momente u krijua një gjendje trishtuese, pasi në ndërtesën e Radios nuk kishte asnjë njeri pos policëve e disa gazetarëve serbë. Ishte moment tmerri i vërtetë. Nga kjo gjendje psiqike e fizike që u ushtrua ndaj tij dhe folësve (spikerëve Nexhmije Bytyçi dhe Driton Qapari) më së keqi pësoi folësja (spikerja) Nexhmije Bytyçi, e cila nga traumat e përjetuara policore pas disa vitesh vdiq.
Pas mbylljes së Radiotelevizionit të Prishtinës, Kurteshi filloi të bashkëpunojë me Radio Melburnin e Australisë, emisioni në gjuhën shqipe si korrespondent dhe në Radio Frajburgun e Gjermanisë. Në ndërkohë Radio Kroacia, kishte mundësuar që në kuadër të programeve informative të saj të hap një emison 5 minutësh në gjuhën shqipe. Në përgaditjen dhe realizimin e këtij emisioni në Zagreb, u angazhaun një grup gazetarësh, të Radio Prishtinës: Shaban Hyseni (koordinator i emisionit), pastaj Mehmet Haziri, Sylejman Shaqiri, Besa Ceku, Fatmir Podrimja, Kurtesh Devaja e disa të tjerë si bashkëpuntorë nga Prishtina.
Në vitin 1992, me kërkesën e akademik Mark Krasniqit u angazhua shef i Qendrës Informative të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie. Në vitin 1998, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë, u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, ku president i Republikës së Kosovës ishte Dr Ibrahim Rugova. Nga shtatori i vitit 1999 e deri në janar të vitit 2002, ka qenë trajnues i gazetarëve të rinj në Radio Blue Sky dhe në Radiotelevizionin e Kosovës. Kohë pas kohe ka punuar si ligjërues i lëndës së komunikimit në Universitetin Amerikan në Bllagojevgrad të Bullgarisë, (për studentët shqiptarë nga Kosova). Ndërsa nga viti 2002 deri në dhjetor të vitit 2005, ka punuar në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës – këshilltar i parë dhe zëdhënës në këtë ministri.
Pas mbarimit të mandatit në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, nga viti 2005, është kthyer të punojë redaktor i emisioneve informative në Radiotelevizionin publik të Kosovës dhe në Radio BLUE SKAY. Ka realizuar edhe shumë dokumentarë televiziv: ndër to veçoj:
- Me shqiptarët e Anadollit,
- Me shqiptarët e Ukrainës,
- Me shqiptarët e Bullgarisë,
- Me shqiptarët e Rumanisë,
- Te Molla e Kuqe etj.,
Kurteshi është autor i qindra fejtoneve e shkrimeve të tjera në fushën e gazetarisë, dhe të fushave të ndryshme nga vendi dhe jashtë tij.
Deri tani ka botuar këto vepra autoriale:
- “Shtetësia e Kosovës” (Prishtinë,1995).
- “Gjon Lluka atdhetar i devotshëm” (Prishtinë, 2002).
- “Me shqiptarët e Anadollit” (Prishtinë, 2005).
- “Vitet e sfidave” (2005).
- “Holokausti shqiptar” (2005).
- “Fryma atdhetare e shqiptarëve të Rumanisë” (Prishtinë, 2010).
- “Elementet bazë të gazetarisë” (Prishtinë, 2010).
- “Te Molla e Kuqe” (Prishtinë, 2012).
- “Monografia e familjes Devaja” (Prishtinë, 2013).
- “Në kërkim të Dritës” (Prishtinë, 2015).
- “Me shqiptarët e Bullgarisë” (Prishtinë, 2017).
- “Mbijetesa e shqiptarëve në Ballkan” (Prishtinë, 2018).
- “Përvetësimi i monumenteve arbërore nga sllavët” (Prishtinë, 2019).
- “Kalaja e Gjarpërinjve” (roman), Prishtinë, 2023
- “Vragë Kohe” (Prishtinë, 2023)
Së shpejti do të dalin nga shtypi librat që i ka në dorëshkrim, me titujt:
- “Canakkalaja dhe shqiptarët,
- “Rrugë në Gazetari” dhe
- “Vjeshta në Çamëri” – kushtuar atdhetarit të devotshëm Aristidh Kola.
Përvoja e tij profesionale në gazetari dhe në institucione tjera, gjatë një periudhe 50 vjeçare e ndihmoi që me shumë sukses të krijojë raporte pune në çdo mjedis dhe të kryejë punë organizative, pothuajse në secilën lëmi që iu ofrua. Kështu ka arritur që me sukses të organizojë dhe menaxhojë shumë projekte me interes shoqëror. Puna e tij si gazetar i mundësoi të njohë shumë njerëz e shumë karaktere. Përvoja e punës në grupe i solli shumë suksese në jetë. Prandaj tani nuk e ka të vështirë që të angazhohet e të punojë me grup-mosha të njerëzve pa dallim komuniteti e gjinie, pasi kjo i mundëson të përfitojë njohuri të reja gjatë jetës e punës. Ndërsa gazetarinë gjithnjë e ka pasur pasion dhe e ka kryer me përkushtim të madh.
Për punën e tij 50-vjeçare në gazetari, është nderuar me shumë çmime në vend e jashtë tij.
Aktualisht Kuteshi jeton dhe vepron me familje në Prishtinë.
Me respekt dhe konsideratë të lartë atdhetare:
Zekirija Idrizi Shkup
Berlin – Shkrimtar