NJË FESTIVAL MBARËKOMBËTAR I POEZISË DHE ZËRI HISTORIK I GJAKOVËS NË LETËRSI 

Sot, në Gjakovë, në edicionin e katërt të Festivalit mbarëkombëtar të Poezisë,  nderuar me Çmimin e Parë për poezinë “KAHDO QË SHKON,  TI PIKË E GJAKUT (për të zhdukurit në luftë)”.

Falënderoj jurinë në përbërje Mark Simoni e Eli Kanina (nga Shqipëria) dhe Shefqete Gosalci (Prishtinë). Këtë manifestim e orgnzon Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”, që  prin Mevlyde Mezini Saraçi. 

 Këtë veprimtari e mbështeti Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Gjakovës. 

1. 

Erdhën poetë e poetesha nga Shqipëria, Maqedonia, diaspora dhe Kosova. Lexuan këta krijues e krijuese letrare: Adem Xheladini, Ajete Pavataj, Ajet Shala, Barjamali Selimi, Bekim Kelmendi, Blerm Valla, Gjokë Sokoli, Dardan Berisha, Dibran Fylli, Din Halilaj, Fatime Kalimashi, Fazli Ferati, Fjolla Muhaxhiri Agusholli, Flora Peci, Idriz Berisha – Xhixhi, Ilam Berisha, Imer Gllareva, Ismet Delija, Izet Shala, Kleda Plangarica, Lulzim Hajdari, Lulzim Logu, Mirlinda Latifi, Maxhun Osmanaj, Mirvete Kabash Leku, Naxhije Doçi, Prend Buzhala, Sadije Aliti, Shaban Pllana, Sherife Berisha – Thaçi, Rajmonda Maleçka, Tahir Bezhani dhe Zenun Hysenukaj. 

Krijuesit, përpos fletëfalënderimeve, merrnin dhuratë nga organizator edhe vëllimin vjetor “Poezia nuk njeh kufi”, ku qenë përfshirë të gjuha krijimet e që u lexuan aty, si dhe konkurruesve tjerë që nuk ishin të pranishëm, një praktikë e rrallë dhe transparente. Përpos poezive, libri ka nga një biografi të shkurtër për secilin autor. 

Çmimin e Publikut e fitoi një krijuese e rrallë e lindur në këtë  qytet, Fjolla Muhaxhiri Agusholli, e cila po shquhet gjithnjë e më me zell me zërin e saj të veçantë krijues s poete dhe romansiere. Poezia e saj kishte titullin “Ju luta zotave”. 

Çmimin e dytë e fitoi Zenun Hysenuka (Tropojë) me poezinë “Mesnatë”, kurse Dardan (Eshref) Berisha -vendin e tretë për poezinë “Mos ma festoni datëlindjen”. 

Në kuadër të këtyre veprimtarive, u promovua libri  autorit nga diaspora Ajet Shalës, ” Plisbardhi shekullor”, për të cilin lgëruan Muhamet Rogova dhe Mevlyde Mezini Saraçi. 

2. 

Kisha rast ta theksoja disa herë sot faktin se Gjakova ishte për dekada të tëra një qendër e rëndësishme e artit, kulturës, arsimit dhe fushave tjera. Nga këtu janë Ali Podrimja, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Teki Dervishi, Hasan Hasani, Agim Deva e sa e sa emra të tjerë emblematikë të letrave shqipe… Ky Festival poetik mban edhe referencën: mbarëkombëtar. Kur ka një referencë të tillë, gjithsesi që është një ngjarje edhe madhore, pse jo, që mbledh poetët dhe krijuesit nga e gjithë hapësira etnike shqiptare e më gjerë; krijuesit bashkojnë zërin e tyre artistik, gjithsesi për ta promovuar letërsinë si një formë e fuqishme e shprehjes. 

Është qyteti i krijuesve të mëdhenj. Qytetet që kanë nxjerrë personalitete të mëdha të letërsisë dhe poezi, ngjarjet e tilla nuk mund të mos i evokojnë ata. Është ajo që quhet ndërthurja e së kaluarës me të sotmen; ndërthurje e trashëgiminë letrare të qytetit me prurjet e reja në poezi dhe letërsi. Festivali mund ta zgjerojë këtë veprimtari me lexime nga poetë të rinj dhe diskutime mbi ndikimin e figurave historike në letërsinë e sotme; festivali mund të krijojë një urë ndërmjet së kaluarës dhe së ardhmes. Kësisoj,  qyteti jo vetëm që afirmon rëndësinë e kulturës në jetën e tij, por gjithashtu u transmeton brezave të rinj vlerat që këto figura përfaqësonin. 

Qytetet si Gjakova,  me tradita të forta letrare e kulturore, krijojnë ndërlidhje të thellë mes poezisë dhe IDENTITETIT të kësaj ane, duke i dhënë festivalit një dimension të veçantë. 

Kujtesa letrare e këtij qyteti është e ndërlidhur me momentet historike që ai i ka përjetuar. Luftërat, lëvizjet çlirimtare, revoltat sociale dhe ndryshimet politike i japin poezisë përmasën reflektuese, i japin qytetit një zë historik në letërsi. Te ko kujtesë hyjnë edhe kalatë, monumentet historike, rrugët dhe lagjet tradicionale, arkitektura autoktone, peizazhet urbane, sheshet dhe hapësirat publike… deri te kujtesa për të rënët e të zhdukurit. Poezia bëhet një arkiv i kujtimeve të humbura… 

Le ta them se edhe ky festival, edhe manifestimet që kushdo i organizon këtu, janë pjesë e identitetit të këtij qyteti. 

Janë momentet ikonike ngjarjet e tilla, si kjo e sotmja.

Le ta përgëzojmë Mevlyden e bashkorganizuesit për këtë manifestim.

Prend B. Buzhala