Liljana Lashaj, përzgjedhet mbretëresha e ‘Logut të Bjeshkëve’

Vajza nga Selca e Kelmendit, Liljana Lashaj, në një garë sfiduese me konkurente të forta, është kurorëzuar si e bukura e të bukurave të dheut të Malësisë. Kurora e bukurisë malësore është privilegj dhe përgjegjësi për të si fituese dhe për çdo vajzë që arriti të ishte në garë. Ata erdhën të mbajnë të ndezur zjarrin e një tradite, të tregojnë me krenari se meritojnë xhubletën dhe shpërblimin e madh të përfaqësimit.

Më 11 gusht 2024, në Qafën e Predelecit, Kelmend, është rikthyer “Logu i Bjeshkëve”, për të vazhduar historinë, për të vijuar një traditë, për të shpërfaqur vlera, për të dëshmuar se e bukura e natyrës është në simbiozë me të bukurën e etnografisë dhe bukurisë së vajzës malësore.

Kurorëzimi i së bukurës së dheut të Malësisë, në “festën e traditës”, në mrekullinë e këngës dhe valleve, bashkoi malësorët nga gjithë bota në logun e Lëpushës, Kelmend. Krejt magjia e bjeshkëve u shpërfaq, me hiret e vajzave, me madhështinë e xhubletës, me gazmendin e festës.

Malësia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj, e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.

Përgatiti: Albert Vataj