Jo rastësisht, në krye të autorëve në librin “VARGNIM GJAKOVE” vendosa ANTON ÇETTËN.
Libri hapet pikërisht me vargje nga Anton Çetta, një personalitet i padiskutueshëm për lartësinë kulmore në aktivitetin e gjatë patriotik, etno-folklorik e letrar.
Anton Çetta u lind më 3 janar 1920 në Gjakovë. Shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës e më tej, Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës Frënge. Në vitin 1961, kur në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik, u emërua mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëroi lëndën e Letërsisë së vjetër. Nga viti 1968 ishte udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Botoi 16 libra me përmbledhje nga folklori dhe tradita gojore.
Në vitin 1990 profesor A. Çetta iu bashkangjit pajtimit të gjaqeve, të filluar nga të rinjtë studentë dhe ish të burgosurit politikë. Gjatë periudhës njëvjeçare të veprimtarisë së Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë (1990-1991), së cilës ai i priu, u falën 1.169 gjaqe, 477 plagë, 865 ngatërresa. Plaku i urtë Anton Çetta ishte një nga shtyllat kryesore të procesit për të cilin deklaronte: “Gjaqet po i falen rinisë!”
Anton Çetta u dëshmua si pedagog, njohës dhe mbledhës i palodhshëm i vlerave kulturore të krijimtarisë gojore të popullit, njeri me virtyte të larta të atdhedashurisë, i prirur të krijojë ura miqësie e dashurie vëllazërore mes njerëzve.
Për njerëz të tillë ka vetëm lindje!