Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti gjatë fjalës së tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë tha se Kosova dhe Shqipëria kanë punë përpara dhe jo vetëm për qytetarët e dy vendeve, por edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës, transmeton MedvegjaSot.com
Për ta, Kurti tha se janë komuniteti më i diskriminuar në Europë.
“Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet midis dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim. Kemi punë përpara, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por dhe për ndihmuar për sigurinë e jetesën e dinjitetshme te shqiptarët në shtetet fqinje, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, por sidomos në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë”.
Kurti pati edhe një propozim për Shqipërinë se si duhet t’i ndihmohet shqiptarëve atje, duke ndjekur shembullin e Kosovës.
“Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë!”.
Kryeministri shqiptar z. Edi Rama mesazhin që la në Prishtinë, ku është shprehur kritik se si në Kuvendin e Kosovës s’është marrë asnjë iniciativë për të ngritur shqetësimet sa i përket procesit gjyqësorë në Hagë, transmeton MedvegjaSot.com
“Por sot që jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos pavarësia e Kosovës. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e drejtësisë ndërkombëtare, që në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë.
Unë s’e kam diskutuar të drejtën e asaj gjykate speciale që ia kanë hartuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi ka ngritur dorën për tu formuar ajo gjykatë. S’mund të rri dot pa ua thënë vëllazërisht, çudinë time që në këtë sallë s’është marrë një nisëm, për t ju kërkuar përmes një rezolute të përkrahur nga të gjitha partitë politike, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate për të shprehur shqetësimin e madh për standardet e atij procesi dhe për të kërkuar një mision verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit”, tha Rama në Kuvendin e Kosovës.
Rama gjithashtu ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës do të ndërmerrte ndonjë iniciativë për të votuar ndonjë rezolutë lidhur me procesin e gjykimit që po ndodhë në Gjykatën Speciale, ka premtuar se partia e tij do ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë të njëjtën rezolutë, nëse do t’i kërkohej./MedvegjaSot.com
Në fund të seancës së përbashkët mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës u miratua deklarata e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve. Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë. “Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 e ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë, i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë./MedvegjaSot.com