Ardita SINANI: Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vulin

Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi.

Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pranuar hapur krijimin e një “liste të zezë – blacklist” të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë.

Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit.

Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve.

Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar.