NIS KONFEREMCA SHKENCORE “JAVA E ALBANOLOGJISË” EDICIONI I 15-të

Konferenca shkencore, “Java e Albanologjisë” që organizohet nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP) nisi edicionin e 15-të të saj në Prishtinë, më 09.09.2024. 

“Në planifikimet që i bëjmë çdo vit, në janar e mbyllim çështjen e ‘Javës së Albanologjisë’ dhe hyjmë në planin e punës si aktiviteti më i rëndësishëm shkencor që e organizon Instituti. Është kulmi i ngjarjeve të tjera që i organizon Instituti, si tryeza a sesione…”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik për edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë”, e cila nis punimet sot (e hënë) dhe për tri ditë bashkon rreth 100 studiues nga trevat shqiptare

“Java e Albanologjisë” edhe sivjet pret të sjellë prurje të reja shkencore nga fusha e gjuhës, letërsisë, historisë, etnologjisë, e sesion i përbashkët do të jenë folkloristika e etnomuzikologjia. Si një prej konferencave shkencore, synohet pasurimi i fushave përkatëse që janë degë të Institutit Albanologjik të Prishtinës që e organizon ngjarjen. Sipas organizatorëve, në këtë edicionin të 15-tin, në pesë sesione do të paraqiten 92 studiues me punimet e tyre.

Historiani Lulzim Lajçi, ushtrues detyre i drejtorit të IAP-it, ka thënë se sikurse edicionet e kaluara, pjesëmarrës do të jenë studiues nga të gjitha trevat shqiptare.

“Në planifikimet që i bëjmë çdo vit, në janar e mbyllim çështjen e ‘Javës së Albanologjisë’ dhe hyjmë në planin e punës si aktiviteti më i rëndësishëm shkencor që e organizon Instituti. Është kulmi i ngjarjeve të tjera që i organizon Instituti, si tryeza a sesione. Është edhe një mini-jubile, është 15-vjetori i aktivitetit të ‘Javës së Albanologjisë’. Pos punonjësve të Institutit marrin pjesë edhe studiues që merren me fushën e albanologjisë, kryesisht të trevave shqiptare, por jo vetëm”, ka thënë Lajçi derisa ka theksuar rëndësinë e ngjarjes.

“Pa dyshim rëndësia e kësaj konference, duke qenë aktivitet shkencor, kuptohet se nga kjo konferencë presim rezultate shkencore. Me kumtesat që do të prezantohen, do të trajtohen çështje të rëndësishme të gjuhës, letërsisë, historisë, folklorit dhe etnologjisë shqiptare”, ka thënë ai.

Sivjet secili sesion ka temën bosht për fushën përkatëse.

“Tema bosht është më e rëndësishme para se të ndodhë aktiviteti, për shkak se nëse është e qëlluar me siguri se Java do të sjellë risi. Unë në histori mundohem të prek tema që nuk janë të trajtuara shumë dhe që kanë nevojë që me rezultate të reja të thuhet më ndryshe sesa është thënë. Qëllimi është të sillen rezultate të reja. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit janë edhe diskutimet pas leximeve, ka ballafaqime me argumente për kumtesa të caktuara. Por vlera më e madhe është botimi i vëllimeve që dalin nga ky aktivitet shkencor”, ka thënë Lajçi.

Fjalën e hapjes do ta ketë bashkëpunëtori shkencor në Institut, Abdurrahim Maxhuni e më pas nis seanca e parë e edicionit të 15-të të “Javës së Albanologjisë”. Gjuhëtari Xhevat Lloshi do të prezantojë punimin shkencor me temë “Konsulta e Prishtinës mes dy gjysmëshekujve” e më pas edhe Emil Lafe me “Shqyrtime rreth përjashtimeve nga rregullat në ‘Drejtshkrimin e gjuhës shqipe’”. Asllan Hamiti sjell kumtesën “Përditësimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, Blerton Sylejmani me “Norma gjuhësore dhe roli i gazetës ‘Flaka e Vllazërimit’ pas ortografisë së Prishtinës”.

Në kuadër të Sesionin të Gjuhësisë, në temën “Drejtshkrimi i shqipes 60 vjet pas ortografisë së Prishtinës” do të prezantojnë punimet e tyre edhe Edlira Troplini-Abdurrahmani, Abdurrahim Maxhuni, Ismet Osmani, Naim Berisha, Sejdi Gashi dhe Migena Arllati.

Në seancën e dytë të të njëjtit sesion sjellin studimet e tyre Begzad Baliu, Vjosa Osmani, Shkëlqim Millaku, Shpresa Ismajli, Faton Krasniqi, Davida Marku, Afërdita Abdullahi, Hana Dardhishta, Shemsi e Senad Neziri, Florina Çitaku, Qëndrim Morina dhe Brunilda Ozuni.

Sesionet e Etnologjisë dhe Letërsisë do të shpalosin punimet në ditën e dytë të ngjarjes, të martën, kur nisin paralelisht.

Fjalën e hapjes nga etnologia Angjelina Hamza-Hasanaj e pasojnë kumtesat në fushën e etnologjisë.

Nis me prezantimin e temës “COVID-19, sfidë shëndetësore globale e vendore e shekullit 21” nga Sali Ahmeti, “Lia e Keqe (‘Variola Vera’) dhe trajtimi i saj në Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1890 – 1903” nga Hatixhe Ahmedi e “Vrojtimi social në rrethana të COVID-19 në mjediset urbane” nga Bukurie Mustafa.

Në temën bosht të Sesionit të Etnologjisë “Praktika të reja kulturore – Në ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19” do të shpalosin kumtesat e tyre edhe studiuesit Ina Paçamanova, Jonida Çunga-Sela, Violeta Kotseva, Angjelina Hamza-Hasanaj. Në seancën e dytë të Etnologjisë do të prezantohen kumtesat e studiuesve Nexhat Çoçaj, Hiriet Ziberi, Rini Useini, Fikrije Berisha, Ermela Broci, Afet Jashari, Krenar Doli dhe Valon Shkodra.

Sesioni i Letërsisë që mbahet të martën paradite nën temën “Drama shqipe 1945-1990”, nis me fjalën hapëse nga shkrimtari Gëzim Aliu. Sa u përket pjesës së kumtesave, temën “Paradokset dhe frustracionet e dramës shqipe 1945-1990” e sjell Besim Rexhaj, “Drama shqipe në revistën letrare ‘Jeta e re’ (1949-1959)” nga Fadil Grajçevci, e Hysen Matoshi sjell temën “Drama kundër mitit – vështrim metakritik studimit të Bajram Krasniqit mbi dramat e Rexhep Qosjes”.

Gjithashtu punimet në fushën e letërsisë i sjellin Muharrem Jakupi, Sali Bytyçi, Meliza Krasniqi, Rrezarta Morina, Arian Krasniqi, Virion Graçi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Rovena Vata-Mikeli, Andreas Dushi, Leonora Hajra dhe Eriola Çoçaj.

Të mërkurën në ditën e fundit të “Javës së Albanologjisë”, në kuadër të Sesionit të Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë, studiuesit do të gjurmojnë temën “Trashëgimia gojore e muzikore në arkiva: tekstet, zërat dhe tingujt e arkivuar para mundësive të reja teknologjike”. Studiuesja e folklorit Arbnora Dushi e nis me fjalën hapëse.

Edmond Buharaja do të prezantojë temën “Etnomuzikologjia kompiutacionale si pikënisje për një qasje emike (emic approach) ndaj folklorit”, ndërsa studimin me temë “Mesazhe nga arkivi: Si na uruan nënat kur na i kënduan ninullat dhe ç’thonë ninullat për pozitën e gruas në shoqëri?” e sjell Vlorë Fetaj-Berisha.

Liburn Jupolli prezanton kumtesën “Mesazhe nga arkivi: Si na uruan nënat kur na i kënduan ninullat dhe ç’thonë ninullat për pozitën e gruas në shoqëri?”, ndërsa Behar Arllati sjell temën “Arkivat individuale dhe familjare, në mes të harresës totale institucionale shtetërore dhe zhdukjes së tërësishme”.

Në këtë sesion paraqesin punimet e tyre edhe Irena Gjoni, Mikaela Minga, Jeta Rexha, Ana Morina, Leontina Gega-Musa, Edmir Ballgjati, Albin Sadiku, Hysen Nimani, Kristina Përkola, Mimoza Shqefni, Ylberza Halili dhe Visar Munishi.

Po të mërkurën, paradite, do të eksplorohet edhe Sesioni i Historisë. Nis me fjalën e studiuesit Nuridin Ahmeti. Temat që do të trajtohen janë “Xehetaria dhe guroret antike në Dardani qendrore” nga arkeologu e historiani Naser Ferri, “Trepça në kohën antike” nga historiani Lulëzim Lajçi, “Gjurmëve të xehetarisë dhe metalurgjisë të kohës së Mbretërisë Dardane” nga historian Arianit Buqinca e “Andrea Izati-Argjendari kotorras” nga historian Ylber Hysa.

Në kuadër të këtij sesioni, me të cilin mbyll punimet “Java e Albanologjisë” do të shpalosin studimet edhe Ardian Muhaj, Bedri Muhadri, Musa Ahmeti, Qazim Namani, Agron Islami, Mead Osmani dhe Zana Hoxha në seancën e parë.

Në seancën e dytë në mesditën e së mërkurës, pas një shkëputjeje të shkurtër, seanca vazhdon me shpalosjen e të tjera studimeve. Punimet i prezantojnë edhe Zejni Mazllami, Armend Mehmeti, Arbër Hadri, Alban Dobruna, Qerim Lita, Sevdail Demiri, Nuridin Ahmeti, Shkodran Imeraj, Zekirja Shabani, Blerim Halili dhe Elza Shipoli.

Punimet e edicionit të 15-të të “Javës së Albanologjisë” përmbyllen me fjalën mbyllëse të shkrimtarit Adil Olluri.

Të gjitha këto punime shkencore do të botohen në revistën vjetore shkencore të Institutit të Albanologjisë. U.d. i drejtorit të këtij institucioni, Lulzim Lajçi, ka thënë se punimet e vitit të kaluar janë në fazë të përgatitjes për shtyp.

Sipas tij, deri tani janë botuar punët e 13 edicioneve të kaluara, nga dy vëllime për secilin edicion me gjithsej 26 vëllime dhe rreth 12 mijë faqe tekst. /MS/