Nga dy takime të ndara në dy ministri të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
Një takim shumë domethënës me Zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, Blerta Rama.
Diskutuam lidhur me mundësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në relacionin Shqipëri-Luginë në sferën e biznesit. Plasimi i produkteve, me lehtësira tregtare, nga Bujanoci dhe Presheva në tregun shqiptarë ishte çështja të cilën e shpalosëm, duke shqyrtuar modelet lehtësuese të cilat do të jetësonin këtë qarkullim.
Theksuam domosdoshmërinë e mbështetjes në lëminë e kulturës për Bujanocin, si në lëminë e infrastrukturës së saj por edhe në aspekt të përmbajtjes programore.
Prezenca e shoqërive artistike, trupave teatrorë si dhe e atyre për fëmijë, me mbështetjen direkte të Shqipërisë, vura në dukje se do të kishte impakt të thellë tek popullata shqiptare në Bujanoc, dhe përgjithësisht në Luginë.
Kërkuam edhe mbështetje në fushën e inovacionit, duke nisur nga shkëmbimi të kuadrove, por edhe ndihma në paisje që do të ishin në funksion të veçantë të shkollave shqipe dhe qendrave rinore.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Orjana Osmani, në takimin që patëm, sot në Tiranë, shprehi përkushtimin e këtij dikasteri për të mbështetur shqiptarët në Luginë, veçanërisht ata në Bujanoc.
Nga znj.Osmani ne kërkuam vende shtesë dhe të sigurta për studentët tanë të ardhshëm që do të studiojnë në Universitetet e Shqipërisë, bursa shkollimi si dhe akomodim.
Shpalosëm edhe nevojën e investimeve në njërën nga shkollat shqipe të komunës së Bujanocit por edhe angazhimin e shtetit shqiptarë që me faktorët ndërkombëtarë të ndikojnë tek Beogradi zyrtar që të lejohen tekstet mësimore për nxënësit tamë të shkollave të mesme.
Duke marrë si shembull kapitenin e kombëtares, Berat Gjimshiti, theksuam edhe nevojën e mbështetjes për sportin në Bujanoc, sidomos për kategoritë e reja.
Përmendëm faktin se talentët tanë të shumtë në sporte të ndryshme po t’i posedonin edhe kushtet, nesër me plot krenari do ti mbronin ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë.
Arbër Pajaziti, Kryetar i Komunës së Bujanocit.