`Shkrimtaret shqiptare 1954-1990`, Meliza Krasniqi promovon monografinë për gratë që lanë gjurmë në letërsinë shqipe

Me simbolikën e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit, Ditës së Gruas, në Institutin Albanologjik është promovuar monografina shkencore “Shkrimtare shqiptare 1954-1990” nga autorja Meliza Krasniqi.

Libri “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është botim shkencor i Institutit Albanologjik, në të cilin trajtohen një numër i konsiderueshëm i shkrimtareve shqiptare që kanë lënë gjurmë artin letrar shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Autorja e librit, Meliza Krasniqi, në ceremoninë promovuese ka thënë se zëri letrar i grave krijuese shqiptare ka qenë frymëzim për të përmbledhur punën e saj katërvjeçare në këtë botim shkencor.

“Janë mbi 60 autore, 230 vepra të analizuara dhe të interpretuara dhe mbi të gjitha, një histori kolektive e një zëri që shpesh ka kaluar në heshtje, por që kurrë nuk ka ndaluar së shkruari. Nuk do të gënjej. Ka pasur ditë kur jam ndier e zhytur në këtë det emrash, fatesh, poezish, romanesh e dramash. Ditë kur më është dukur se këto gra ishin gjithmonë me mua duke më folur, duke më recituar e kënduar në vesh. Dhe ka qenë pikërisht ky zë i tyre që më ka frymëzuar pa pushim”, ka thënë autorja Krasniqi në fjalën e saj para një numri të madh pjesëmarrësish.

Tutje, autorja Krasniqi ka thënë se me këtë botim i cili nis me shkrimtaren e parë shqiptare, Musine Kokalari, ka kthyer sytë te gratë që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe.


“E nisa këtë udhëtim me një grua, me Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare. Ishte ajo që më bëri të mendoj ndryshe për mënyrën se si e kemi parë letërsinë e grave, më bëri të kuptoj se nuk mjafton ta shohim krijimtarinë e tyre si raste të veçuara”, ka thënë Krasniqi.

Libri “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” ndahet në katër pjesë. Në pjesën e parë trajtohen shkrimtaret nga Shqipëria, në pjesën e dytë shkrimtaret nga Kosova, në të tretën shkrimtaret shqiptare nga Maqedonia e Veriut, dhe në pjesën e katërt janë shkrimtaret shqiptare të Italisë.

Për veprën “Shkrimtare shqiptare 1954-1990” në këtë aktivitet shkencor folën edhe profesoresha dhe krijuesja, Resmije Kryeziu, shkrimtarja Natasha Lako, dhe shkrimtari Gëzim Aliu, i cili është edhe recenesent i këtij libri shkencor.


Redaktori i monografisë, Gëzim Aliu ka thënë se autorja në këtë botim përdor të kombinuara një varg teorish letrare për t’ju qasur teksteve duke pasur për bazë teorinë e studimeve gjinore prej nga rrjedh edhe gjinokritika.

“Meliza Krasniqi ia ka vënë vetes mision të hulumtojë, të gjejë dhe analizojë të gjitha veprat letrare të shkruara e të botuara nga shkrimtaret shqiptare, jo vetëm në periudhën 1954-1990, si dëshmi se gruaja shqiptare është gjysma e barabartë e natyrshme e shoqërisë, e familjes, e jetës, e kulturës, edhe e letërsisë shqipe, dhe nga ajo vajza e gruaja me lak në fyt, ka arritur përgjatë dekadave të shekullit të njëzetë ta shfaqë e ta krijojë identitetin e vet kulturor përkundër shumë pengesave”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, Resmije Kryeziu ka thënë se kjo vepër ka vlerë për studiuesit e letërsisë pasi paraqet një shkallë kulturore që ndihmon studiuesit e letërsisë të analizojnë gjerësitë dhe thellësitë e veprës letrare.

“Nëse deri tani gruaja ka qenë vetëm një personazh, tani te kjo vepër gruan e kemi autore të një vepre,” tha Resmije Kryeziu, studiuese e letërsisë.

Kurse, Natasha Lako- një nga personazhet e monografisë ka thënë se gratë në letërsi ende nuk janë të vendosura në vendin që meritojnë.

“Është fat i madh të kem këtë libër që, më frymëzoi puna e Melizës për ta gjykuar, sepse shumë herë ne jemi mësuar me kështjellën, sepse librat janë të gjithë për figurat e mëdha historike. Janë aq të domosdoshme. Të lexuara shumë, sidomos kur ne fillojmë dhe rimësojmë historinë tonë. Atje nuk gjen gruan, ajo është brenda, si rrëkezë. Edhe sot autoret gra nuk janë të vendosura ndonjëherë në faqen e parë”, ka shkrimtarja Lako.

Libri “Shkrimtare shqiptare 1954-1990” i cili trajton letërsinë shqipe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX tashmë gjendet në dispozicion të apasionuarve të artit letrar dhe letërsisë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *