𝐍𝐉𝐄̈ 𝐋𝐀𝐕𝐃𝐈 𝐄 𝐋𝐈𝐍𝐃𝐔𝐑 𝐍𝐆𝐀 𝐒𝐀𝐊𝐑𝐈𝐅𝐈𝐂𝐀
Nga Enkel Rexhepi, kryetar i KKSH.
Sot, 25 vite pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), kujtojmë me krenari dhe respekt të thellë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Ky moment historik lindi si një përgjigje e natyrshme ndaj dhunës dhe shtypjes sistematike që përjetuan shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, regjimi i Millosheviqit nuk ndali makinerinë e tij represive. Nga qershori 1999 deri në fillim të vitit 2000, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit përjetuan dhunë të papërballueshme: 11 vrasje brutale, dëbime masive, kërcënime për jetë dhe terror të vazhdueshëm nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Gjendja u bë e padurueshme me vrasjen mizore të vëllezërve Saqipi në Dobrosin, më 26 janar 2000. Ky akt u bë pika e kthesës, momenti që shqiptarët thanë “mjaft!” dhe morën në dorë fatin e tyre.
Në ato ditë të vështira, lindja e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ishte një nevojë historike. Ishte një thirrje për liri, barazi dhe dinjitet, e cila frymëzoi jo vetëm djemtë dhe vajzat e Luginës, por edhe vëllezërit tanë nga të gjitha trevat shqiptare. Ata që u rreshtuan nën amblemën e UÇPMB-së përqafuan guximin dhe idealin e paraardhësve tanë për bashkim dhe liri.
Rezistenca heroike e UÇPMB-së, e përqendruar në fshatrat e brezit kufitar dhe mbështetur nga populli i Luginës, nuk ndaloi vetëm vrasjet, por krijoi një realitet të ri. Pas 18 muajsh betejë të lavdishme, përpjekjet kulmuan me Marrëveshjen e Konçulit. Kjo marrëveshje solli amnisti për ish-luftëtarët shqiptarë, krijimin e policisë multietnike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të para të lira në vitin 2002, ku shqiptarët për herë të parë drejtuan institucionet lokale të Bujanocit.
Sot, një çerek shekulli më vonë, sfidat për shqiptarët e Luginës vazhdojnë. Marrëveshjet e arritura mbeten pjesërisht të zbatuara, ndërsa shqiptarët përballen ende me diskriminim politik, juridik dhe social. Por, fryma e UÇPMB-së mbetet e gjallë, si një testament i përhershëm i betejës për të drejta dhe dinjitet. Ajo na kujton se liria dhe barazia kërkojnë përpjekje të vazhdueshme dhe unitet kombëtar.
Lavdi vëllezërve Saqipi!
Lavdi dëshmorit Besim Faiku!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc!🇦🇱